Lidhje

SHBA: Fushata presidenciale zhvendoset në Nju Hempshër


Fushata presidenciale në Shtetet e Bashkuara ka kaluar nga shteti i Ajovas në atë të New Hampshirit. Fituesit e zgjedhjeve të së enjtes, demokrati Barak Obama dhe republikani Mike Huckabee janë dy kandidatë të cilët thonë se u ofrojnë votuesve shpresë dhe ndryshime.

Kandidatët arritën në shtetin New Hampshire herët në mëngjes, menjëherë pas zgjedhjeve në Iowa. I dyti në garën e republikanëve është Mitt Romney, ish guvernator i shtetit Masaçusets.

Senatori John Edwards doli i dyti në garën mes demokratëve. Për të dy ata, zgjedhjet në New Hampshire ofrojnë një shans të dytë. "Ne erdhëm këtu me një medalje të argjendë. Deshëm të artën por fituam të argjendtën. Në New Hampshire do të fitojmë të artën.” Demokrati Barak Obama i cili tërheq votuesit duke thënë se ata duan ndryshime, është afrikano-amerikani i parë që fiton zgjedhjet në shtetin Iowa.

Një sondazh i bërë mes votuesve të Ajovas tregon se më shumë se një e treta e përkrahësve të Obamës janë të rinj nën 30 vjeç. Ai fitoi shumicën e votave mes të bardhëve, zezakëve por edhe grave. "Sepse ne mendojmë se këtë herë është ndryshe. Këtë mund ta bëjmë edhe në shtetin New Hampshire pas pak ditësh, të krijojmë një hartë të re zgjedhore.”

Dan Restrepo, ekspert i Qendrës për Progresin Amerikan, thotë se mesazhi i të gjithë kandidatëve në Iowa kishte një refren të ngjashëm. "Një mesazh për shpresë dhe ndryshime fitoi më shumë përkrahje në të dyja partitë politike krahasuar me mesazhin e frikës dhe përvojës i cili ishte gjithashtu mbizotërues te disa kandidatë.”

Fituesi republikan në garën e Iowës Mike Huckabee para pak muajsh ishte pothuajse i panjohur. Konservatorët fetarë përbënin 80% të simpatizantëve të tij në garat e së enjtës. Këta lloj votuesish kanë ndihmuar kandidatët republikanë të fitojnë zgjedhjet edhe në të kaluarën por këtë herë ai thotë se fitoi edhe pse edhe pse kundështarët e tij shpenzuan 15 herë më shumë se ai. "Është një përvojë e mahnitëshme dhe mendoj se filloi për arsye se njerëzit jo vetëm në Iowa por në mbarë vendin kërkojnë ndryshime të vërteta.”

Senatorja Hillary Clinton shpreson të rifitojë territor në shtetin New Hampshire. Ish zonja e parë vazhdon të udhëheqë në sondazhe. Ajo ishte e para edhe në anketat e shtetit e megjithatë humbi ndaj senatorit Obama. "Unë nuk jam njeri që bën thirrje për ndryshime dhe kërkon ndryshime por një njeri që sjell ndryshime. Dhe unë do ta përcjell këtë mesazh te njerëzit e të gjitha moshave.”

Për dy kandidatë demokratë, shteti Iowa shënoi fundin e fushatës së tyre. Senatorët Chris Dodd dhe Joe Biden deklaruan se i japin fund fushatës. Ndër kandidatët republikanë, ish senatori Fred Thompson vazhdon të bëjë fushatë dhe po ashtu ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudy Giuliani. Por ata e kanë të fitojnë vëmendje tani që fushata dominohet nga kandidatët të cilët janë në krye dhe që reklamojnë ndryshime në një shtet i cili shpesh bëhet vendimtar për fatin e konkurrentëve. //rd//

XS
SM
MD
LG