Lidhje

Serbët e Kosovës festojnë Krishtlindjet


Ndërkohë që vazhdon paqartësia lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës, mijëra serbë në Kosovë morën sot pjesë në shërbesat fetare për Krishtlindjet ortodokse. Edhe në këtë ditë të shenjtë për besimtarët, zgjidhja që do të marrë statusi i Kosovës mbetet shqetësimi parësor për banorët:

Krishtlindja festohet me 7 janar për ortodoksët rusë, serbë dhe kisha të tjera ortodokse të traditës së lindjes. Në Graçanicë, banorët serbë u zgjuan sot herët për lutje para se të shkonin për të festuar Krishtlindjet me himne fetare dhe duke ndezur qirinj, në ceremonitë tradicionale që pritet të jenë të fundit në një Kosovë me status të pacaktuar.

Por edhe në këtë ditë të shenjtë për besimtarët, çështja e statusit mbetet shqetësimi kryesor:

"Njerëzit nuk e dinë se ç’do të ndodhë. Të gjithë presim të shohim se ç’do të bëhet me statusin," thotë Miroslav Rasip, serb i Kosovës.

Banorja Vesna Veriç thotë se uron që të ketë përmirësim të cilësisë së jetesës: "Dëshiroj paqe dhe një jetë më të mirë për vete dhe banorët e tjerë, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes. Shpresoj që viti i ri të sjellë më shumë begati për të gjithë."

Aspiratat e kundërta të shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë lidhur me statusin e ardhshëm kanë nxitur KFOR-i të rrisë numrin e patrullimeve dhe të shtojë në zonat e banuara nga pakica serbe forcat e dislokuara, shumica e të cilëve amerikanë dhe gjermanë.

Serbët janë betuar të mos pranojnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kanë thënë se do të bëjnë ç’është e mundur që Kosova të jetë pjesë e Serbisë. Shumë prej tyre ushqejnë të njëjtin mosbesim tek NATO-ja si edhe tek shqiptarët dhe fajësojnë aleancën se nuk arriti t’u dalë në mbrojtje në trazirat e marsit 2004, që shkatuan 11 të vrarë në radhët e pakicës serbe dhe lanë të dëmtuara ose të rrënuara një numër kishash ortodokse serbe.

Që nga ajo kohë, KFOR-i është përpjekur të krijojë forca veprimi më elastike që të jenë në gjendje të përgjigjen pa vonesë ndaj trazirave. Një zyrtar perëndimor, i cili nuk pranoi të identifikohej, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se sapo të shpallet pavarësia, paqeruajtësit do të përqendrohen në mbrojtjen e kufijve të Kosovës për të parandaluar veprime ekstremiste. NATO-ja është zotuar të angazhohet në mbrojtje të pronave të atyre serbëve që mund të largohen.

Udhëheqësit e Kosovës janë zotuar ta bashkërendojnë shpalljen e pavarësisë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian dhe i kanë premtuar komunitetit serb se do ta gjejë të ardhmen e tij në Kosovën e pas-statusit. //ad//

XS
SM
MD
LG