Lidhje

Në shtetin amerikan Nju Hempshër zhvillohen zgjedhjet paraprake


Këtu në Shtetet e Bashkuara, votuesit në shtetin Nju Hempshër po zhvillojnë sot zgjedhjet paraprake për president, pas zgjedhjeve të tilla javën e kaluar në shtetin tjetër Ajova. Sipas anketave të opinionit në Nju Hempshër, kandidatët që ka të ngjarë të fitojnë sot janë demokrati Barak Obama dhe republikani Xhon Mekein.

Qytete të vegjël piktoresk si Exeter pasqyrojnë atmosferën e shtetit Nju Hempshër, i njohur më së miri si shteti i parë i Shteteve të Bashkuara, ku amerikanët shkojnë në qendrat e votimit për të zgjedhur kandidatin e partisë republikane e atë të partisë demokrate për president.

Alan Lihtman, profesor dhe historian presidencial në Universitetin Amerikan në Uashington, thotë se vlera e zgjedhjeve të hershme paraprake është që kandidati të marrë një shtytje drejt fitores në zgjedhjet paraprake, që do të pasojnë.

Fitoret e javës së kaluar në shtetin Ajova të senatorit demokrat nga Ilinoi, Barak Obama, dhe ish guvernatorit republikan nga Arkansa, Majk Hakëbi, kanë ndryshuar garën për Shtëpinë e Bardhë.

Ata fituan ndaj kandidatëve më të pëlqyer në shkallë kombëtare, senatores demokrate të Nju Jorkut dhe ish zonjën e parë të Amerikës, Hillari Klinton, dhe ish kryrtarit të bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani.

Ndryshe nga votuesit në shtetet më të mëdha që zhvillojnë zgjedhjet paraprake më vonë, votuesit në Nju Hempshër kanë mundësinë të takohen me kandidatët në grupe relativisht të vogla dhe u bëjnë atyre pyetje rreth çështjeve të rëndësishme.

Rreth 45 përqind e votuesve në Nju Hempshër janë të pavarur dhe shpesh është vështirë të parashikohet se për cilin kandidat votojnë ata në zgjedhjet paraprake.

“Votuesit e pavarur luajnë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet paraprake në Nju Hepmshër sepse ata mund të votojnë për kandidatin republikan ose atë demokrat. Ata mund të përbëjnë një segment të madh të zgjedhësve në një shtet shumë të vogël dhe shumë të pavarur si Nju Hempshër”, thotë profesor Lihtman.

Anketat e opinionit tregojnë se senatori Obama, afrikano-amerikani i parë që bën fushatë për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, ka pasur sukses në përpjekjet e tij për ta identifikuar veten si kandidati demokrat, që ka më shumë të ngjarë të sjellë ndryshime në politikat e Uashingtonit. Profesori i Universitetit të Nju Hempshër, Dante Skala, e shikon si shumë pozitive fitoren e senatorit Obama sot.

“Me siguri që nëse Obama fiton sot në Nju Hempshër, ai do të fitojë edhe në shtete si Karolina e Jugut me një popullsi të madhe afrikano-amerikane. Nëse votuesit afrikano-amerikanë arrijnë në përfundimin se një kandidat zezak mund të fitojë në dy prej shteteve me popullsi kryesisht të bardhë, ata do ta shikojnë me seriozitet kandidaturën e senatorit të Ilinoit. Nëse kjo ndodh, do të jetë tepër e vështirë për senatoren e Nju Jorkut, Hillari Klinton, që të fitojë.”

Mes kandidatëve republikanë, ish prifti baptist Majk Hakëbi, habiti shumë analistë kur fitojë në Ajova.

Por sipas anketave më të fundit të opinionit publik në Nju Hempshër, senatori republikan nga Arizona, Xhon Mekejn, gëzon më shumë mbështetje. Fitorja e tij në Nju Hepmshër do të shënonte një sukses të madh për të, pasi vitin e kaluar, fushata e zotit Mekejn nuk kishte fonde të mjaftueshme dhe ai u detyrua të pushonte nga puna pjesën më të madhe të personelit. Nëse zgjidhet president, zoti Mekejn, 71 vjeç, do të ishte personi më i moshuar që zgjidhet në këtë post.

Senatori Mekejn i thotë audiencës së tij se përvoja që ai ka në luftë e kualifikon atë në mënyrë të veçantë për të qënë president.

“Ne jemi të angazhuar në dy luftëra dhe gjenerali Petreas ka thënë se Iraku përbën frontin qëndror të luftës kundër ekstremizmit islamik. Miqtë e mi kjo është shumë e vërtetë. Mendoj se nuk ka dyshim që ne kemi nevojë për një president me përvojën dhe aftësinë për të marrë vendimet e duhura në mënyrë që të fitohet kjo betejë”, thotë senatori Mekejn.

Fitorja në Nju Hempshër nuk i garanton kandidatit fitoren e emërimit të partisë, por një fitore e tillë do t’i jepte shtytje çdo kandidature në garën shumë të fortë të këtij viti për Shtëpinë e Bardhë. (ze)

XS
SM
MD
LG