Lidhje

Shqipëri: Komisioni parlamentar i ligjeve diskuton mbi riorganizimin e sistemit gjyqësor


Në një atmosferë të rrallë, ku termat bashkëpunim, konsensus e angazhim i përbashkët ishin më të lakuarat, komisioni i ligjeve në parlament nisi sot punën për një nga sipërmarrjet më të rëndësishme legjislative, reformën në sistemin e drejtësisë.

“Kemi rënë dakort që procesi të eci me seriozitetin dhe angazhimin maksimal të mundshëm, që të eci në përputhje me interesat e vendit dhe të vetë pushtetit gjyqësor në Shqipëri”, u shpreh kryetari i Komisionit Fatos Beja.

Nënkryetari socialist Fatmir Xhafa rikonfirmoi qëndrimin e opozitës për bashkëpunim duke nënvizuar se oferta e opozitës nuk ishte për të bërë pazare politike:

“Ne jemi për të realizuar një konsensus të plotë politik, një bashkëpunim aktiv në të gjithë këtë process. Natyrisht nuk jemi këtu për të bërë pazare, në emër të interesit madhor të qytetarëve dhe procesit të integrimit të vendit.”

Nga ana e tij ministri i drejtësisë Enkelejd Alibeaj deklaroi se institucioni i tij është i gatshëm të ofrojë të gjithë ekspertizën e nevojshme:

“E rëndësishme është që një reformë e tillë në këto dimensione kërkon dy elementë minimal: klimën e mirë politike mbi të cilën duhet bërë një reformë. Me kënaqësi shoh se ekziston në masën më optimale dhe procedurën mbi të cilën duhet të ecet për të ridimensuar ato koncepte që kanë vend për t’u bërë të tilla".

Reforma në drejtësi kërkon pashmangshmërisht një bashkëpunim mes palëve për shkak të numrave të lartë që kërkon miratimi në parlament e që e djathta e vetme nuk mund t’i siguronte. Për muaj të tërë konfliktet politike bënë të pamundur ngritjen e një komisioni të posaçëm siç ishte rënë dakort në tryezën e presidentit Bamir Topi. Tashmë palët, të ndikuara veçanërisht nga marrëdhëniet ende të ngrira mes opozitës dhe kreut të shtetit, e kanë lënë jashtë mundësinë e një komisioni tjetër duke preferuar realizimin e reformës nga vetë komisioni i ligjeve.

Nisja e menjëhershme e punës për ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë erdhi pas ofertës së opozitës që forcat politike të linin mënjanë konfliktet e ditës dhe të angazhoheshin për realizimin e reformave të cilësuara si kusht që Shqipëria të mund të marrë një ftesë për anëtarësim në Nato në samitin e Bukureshtit në prill të këtij viti. (ze)

XS
SM
MD
LG