Lidhje

SHBA: Koha për zgjidhjen e statusit të Kosovës është tani


Shtetet e Bashkuara rikonfirmuan mbështetjen për hapa të shpejta drejt pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën, sipas planit të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisaari. Kosova pritet ta shpallë pavarësinë brenda disa javësh.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thonë se Shtetet e Bashkuara mbështesin dhe po inkurajojnë, një përgjigje ndërkombëtare të koordinuar ndaj shpalljes së pritshme të pavarësisë së Kosovës.

Por ata nuk e konfirmojnë një artikull të djeshëm të gazetës New York Times sipas së cilit Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë rënë dakord ta njohin me shpejtësi pavarësinë e Kosovës dhe po i kërkojnë pjesës tjetër të Evropës që ta pasojë.

New York Times-i njofton se Presidenti Bush dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel ranë dakord në një bisedë të kohëve të fundit se njohja e pavarësisë është jetike për qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor. Gazeta thoshte gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë me këmbëngulje Bashkimit Evropian që të mos vonojnë njohjen e shtetit të ri të pritshëm, as edhe një javë.

Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Tom Casey tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë marrëveshjeje konkrete për të vepruar në kombinim me Gjermaninë për Kosovën.

Por ai tha se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për zbatimin e planit Ahtisaari ka kohë që është shprehur qartë dhe se administrata e Presidentit Bush pret një mbështetje të gjerë ndërkombëtare për një përfundim të tillë.

“Ne besojmë se tani është koha për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Ne jemi të angazhuar për zbatimin e planit Ahtisaari që parashikon pavarësi të mbikqyrur për Kosovën. Ky qëndrim nuk është ndonjë sekret, por nuk ka ndonjë gjë të re lidhur me këndvështrimin tonë në këtë drejtim”.

Pas muajsh negociatash të dështuara me Serbinë, për zgjidhjen e statusit të Kosovës, shumica shqiptare pritet të shpallë pavarësinë brenda disa javësh, ndoshta pasi të përfundojë procesi i zgjedhjeve në Serbi më 3 shkurt.

Serbia e kundërshton me forcë pavarësinë e Kosovës dhe ofron autonomi të zgjeruar. Beogradi gëzon mbështetjen diplomatike të Moskës, e cila është zotuar se do të vërë veton ndaj çdo lëvizjeje në Këshillin e Sigurimit drejt pavarësisë.

Zëdhënësi Casey tha se pavarësisht nga qëndrimi i Rusisë, Shtetet e Bashkuara presin një komuniteti ndërkombëtar, në përgjithësi të jetë i bashkuar për statusin përfundimtar të Kosovës, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë procesit diplomatik.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se Shtetet e Bashkuara ende po përpiqen të sigurojnë mbështetjen ruse për planin Ahtisaari, me argumentin se do të ishte më mirë për Rusinë që të ishte pjesë e konsensusit ndërkombëtar, sesa të ishte jashtë tij.

Të mërkurën, nënsekretari amerikan i shtetit për Çështje Politike Nicholas Burns uroi udhëheqësit e Kosovës për krijimin e qeverisë së re dhe i siguroi ata për mbështetjen e plotë amerikane për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit përfundimtar të Kosovës.

Në deklaratën me shkrim thuhej se Shtetet e Bashkuara besojnë se zbatimi me shpejtësi i Planit Ahtisaari për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën dhe masat për mbrojtjen e pakicave do të nxisë stabilitet rajonal, duke u krijuar mundësi si Serbisë edhe Kosovës të ecin përpara në rrugën drejt një bashkëpunimi më të madh me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. //kk//

XS
SM
MD
LG