Lidhje

Berisha: Policia të luftojë edhe korrupsionin brenda radhëve të veta


Lufta kundër korrupsionit në radhët e policisë u bë sërish sot temë e diskutimeve në një takim të autoriteteve shtetërore dhe përfaqësuesve të forcave të rendit publik.

Kryeministri Sali Berisha tha se krahas luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, policët duhet të luftojnë edhe korrupsionin brenda radhëve të veta. “Forconi çdo ditë e më shumë luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit, se kështu do t’i bëni vetes dhe vendit shërbimin më të mirë. Siç jeni trima në aksione policore, po ashtu kam besim se me gërshërët e ligjit do të prisni duart e zeza të zyrtarëve që i kërkojnë qytetarit rryshfet për një shërbim që atij i takon me ligj” – tha ai para forcave të rendit.

Zoti Berisha tha se ligji i ri për policinë e shtetit dhe Bashkimi Europian kërkojnë standarte të larta shërbimi për të rritur sigurinë e vendit, dhe se qeveria mbështet cdo operacion me tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. “Lufta ndaj korrupsionit është po aq e rëndësishme sa lufta që ju u bëtë bandave në Lushnje, Durrës, Tiranë, Elbasan etj. Këtë kërkojnë qytetarët shqiptarë dhe vendet europiane ku ne duam të bashkohemi” – deklaroi ai para përfaqësuesve të policisë.

Forcat shqiptare të rendit publik kanë kryer një numër arrestimesh dhe largime nga puna të kolegëve të tyre policë me akuza për marrje rryshfeti dhe abuzime me detyrën, por ato ende vlerësohen të pamjaftueshme për të ndëryshuar situatën problematike. Në raportin “Barometër 2007” organizata Transparency International renditi Shqipërinë ndër vendet e para më shumë të korruptuara në botë, dhe policët shqiptarë, sipas perceptimit të opinionit publik vendas, ishin po aq të korruptuar sa edhe mjekët, gjyqtarët dhe doganierët. //rd//

XS
SM
MD
LG