Lidhje

Gjeorgji: Opozita kërkon një raund tjetër zgjedhjesh presidenciale


Dhjetra mijëra përkrahës të opozitës në Gjeorgji u mblodhën përsëri në kryeqytetin Tbilisi, duke përsëritur thirrjet për mbajtjen e një raundi tjetër zgjedhjesh presidenciale.

Udhëheqësi i opozitës, Levan Gaçeçilaxe, i cili doli i dyti, pas zotit Sakashvili në zgjedhjet e 5 janarit, u tha demonstruesve se ai nuk do të bëjë kompromis me të për të kërkuar një tjetër raund zgjedhjesh.

Opozita tha se do t’i bëjë një sfidë ligjore sot rezultatit të zgjedhjeve, sipas të cilave zoti Sakashvili fitoi një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale me më tepër se 53 për qind të votave.

Demonstruesit në Tbilisi po ashtu kremtuan një marrëveshje, e cila i jep opozitës më tepër mundësi për shfrytëzimin e televizionit shtetëror. Marrëveshja, e arritur në negociatat mes presidentit në detyrë Nino Burjanaxe, i siguron opozitës përfaqësim të njëjtë në bordin drejtues të stacionit televiziv.

Udhëheqësit e opozitës dhe vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se stacioni nuk i kishte lejuar rivalët politikë të zotit Sakashvili të transmetojnë gjatë procesit zgjedhor. (ze)

XS
SM
MD
LG