Lidhje

Kanceri i prostatës; Pakësohen vdekjet nga kanceri tek fëmijët; Programe për fëmijët parashkollorë


Diagnostikimi i kancerit të prostatës

Mjekët tani thonë se një mënyrë e zakonëshme për zbulimin e kancerit të prostatës mund të mos jetë e efektëshme për miliona burra. Ata e lidhin këtë me peshën trupore.

Sipas studimi, tek njerëzit mbi peshë, kanceri mund të zhvillohet pa u kuptuar dhe arsyeja për këtë nuk është dhjami që e mbulon tumorin duke e bërë të padukshëm, por është gjaku i tepërt që shkakton problemin.

Mjekët në qëndrën mjekësore të universitetit të Miçiganit morrën në shqyrtim 13 mijë burra me kancer në prostat. Ata analizuan gjendjen e antigjenit PSA , proteinë që përdoret për të diktuar kancerin në prostat duke matur praninë e saj në gjak. Shkencëtarët panë se nivelet e proteinës PSA-së ishin më të ulta tek personat mbi peshë.

Dihet se nivelet e larta të PSA-së në gjak përbëjnë një shenjë apo sinjal se kanceri mund të jetë i pranishëm. Atëherë si shpjegohet që tek burrat mbi peshë e me kancer në prostat nivelet e proteinës PSA-së ishin më të ulta, madje nën nivelin normal?

Shkencëtarët thonë se kjo ndodh pasi burrat mbi peshë kanë sasi më të madhe gjaku në organizëm, dhe kjo shkakton uljen e nivelit të PSA-së. Por ata thonë se edhe matja apo leximi i gabuar i niveleve të PSA-së gjatë analizave mund të jetë një arsye përse njerëzit mbi peshë diagnostikohen me kancer tepër të zhvilluar në prostat. Kanceri i tyre zbulohet vonë kur tumori është rritur dhe kur nivelet e PSA-së janë aq të larta sa që kanceri nuk mund të qëndrojë më i fshehur. Ekspertët thonë se kërkime të tjera nevojiten për të përcaktuar nëse analiza e PSA-së duhet të korrigjohet për të marrë parasysh peshën trupore të pacientit.

Pakësohen rastet e vdekjes nga kanceri tek fëmijët

Një studim i kryer nga qëndra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve tregon se numri i vdekjeve nga kanceri mes fëmijëve në Shtetet e Bashkuara është pakësuar dukshëm gjatë 20 vjetëve të fundit. Kjo falë trajtimeve më të mira siç janë transplantimi i palcës së kurrizit dhe përmirësimet teknologjike në fushën e kimoterapisë.

Studimi u krye nga qëndra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve. Rezultatet tregojnë se që prej vitit 1990, numri i vdekjeve nga kanceri mes fëmijëve ka rënë 20 përqind.

Përparim më i madh në këtë fushë është arritur në luftën kundër leuçemisë, një prej kancereve më të zakonshëm mes fëmijëve. Mundësitë e mbijetësës nga leuçemia tani janë 30 përqind më të mëdha ose 80 përqind nga më pak se 50 përqind që ishin në vitet 1970. Studimi tregon se numri i vdekjeve nga leuçemia ka rënë më shumë falë trajtimeve më të mira siç janë transplantimi i palcës së kurrizit dhe përmirësimet teknologjike në fushën e kimoterapisë.

Por këto arritje nuk janë të barabarta mes racave ose rajoneve gjeografike. Numri i vdekjeve mes fëmijëve latinë apo hispanik nuk u pakësua siç ndodhi mes racave të tjera. Gjithashtu, rënia e numrit të vdekjeve nga kanceri ishte 30 përqind më e ngadaltë në pjesën perëndimore krahasuar me atë në pjesën e mesme-perëndimore të Shteteve të Bashkuara.

Programe për fëmijët e moshës parashkollore

Ekspertët thonë se fëmijët e moshës parashkollore mund të mësohen sesi të mbajnë mend më mirë, si të tregohen më të përmbajtur, më të durueshëm dhe më të vemendshëm. Dhe këto janë disa veti që i përgatisin ata për të mësuar më mirë në fuisha të tjera

Mposhtja e tundimit, injorimi i gjërave që largojnë vemendjen dhe përshtatja me ndryshimet, janë aftësi mendore që e ndihmojnë njeriun të përparojë në jetë, por këto rrallë zenë vend në programet mësimore në kopshte a shkolla.

Një studim i kryer nga ekspertë thotë se fëmijë të moshës 4 vjeçare mund t’i mësojnë këto aftësi dhe të përmirësojnë kujtesën e tyre nëpërmjet lojrave të posaçme. Ekspertët e quajnë këtë program mësimor Mjetet e Mendjes dhe e kanë provuar tek 150 fëmijë të moshës parashkollore.

Gjatë këtij mësimi, fëmijët u nxitën të mendojnë se po luanin. Pastaj iu tha të kryenin veprimtari të përbashkëta si për shembull lexim. Ata gjithashtu u nxitën të flisnin me veten e tyre dhe me zë të lartë rreth gjërave që dëshironin të bënin, veprime që nxisin vendimmarrje dhe vetkontroll.

Studimi zgjatë dy vjet, por në fund të vitit të parë mësuesit ishin shumë të kënaqur me rezultatet e nxënësve dhe nën vitin e dytë kërkuan që në program të përfshiheshin të gjithë fëmijët e shkollës. Rezultatet e provimeve përfundimtare treguan se ata fëmijë që morrën pjesë në këtë program kishin kujtesë më të fortë, ishin më të vemendshëm dhe më të përmbajtur sesa moshatarët e tyre jashtë programit.

XS
SM
MD
LG