Lidhje

Rëndësia e votës afrikano-amerikane në zgjedhjet presidenciale


Votat e afrikano-amerikanëve në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të luajnë një rol kryesor se cili kandidat do të sigurojë emërimin e partisë demokrate. Kandidatët kryesorë demokratë këtë herë janë një risi për politikën amerikane: një afrikano-amerikan, me mbështetje të fortë mes të bardhëve dhe një grua e bardhë, ish zonjë e parë, me mbështetje të fortë mes votuesve zezakë.

Votuesit afrikano-amerikanë kanë lënë gjurmët e tyre në zgjedhjet presidenciale, veçanërisht për kandidatët e Partisë Demokrate. “Që prej zgjedhjes së presidentit Rusvelt në vitet 1940, asnjë president demokrat nuk ka ardhur në pushtet pa votën përcaktuese të zgjedhësve zezakë, me përjashtim të presidentit Xhonson”.

Profesor Moris thotë se 90 përqind e votusve afrikano-amerikanë janë demokratë dhe pjesëmarrja e tyre është shtuar që prej viteve 80-të. Në vitin 1984, i përndershmi Xhesi Xhekson u bë afrikano amerikani i dytë që hyri në garën presidenciale, duke fituar 21 përqind të votës popullore, megjithëse më në fund ai humbi. Në vitin 1988, ai zhvilloi një fushatë më të mirë, duke fituar zgjedhjet paraprake në 13 shtete e duke siguruar gati 7 milion vota.

Analistët politikë thonë se votat e zezakëve mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në garën presidenciale të këtij viti, veçanërisht meqë anketat e opinionit tregojnë se kandidatët demokratë gëzojnë më shumë mbështetje se sa rivalët e tyre republikanë. David Bositis është analist pranë qendrës për studime politike dhe ekonomike këtu në Uashington. “Afrikano-amerikanët përbëjnë një bllok të rëndësishëm votuesish në disa shtete kyçe, të cilat do të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve, shtete si Mizuri, Ohajo dhe Florida. Nëse një kandidat demokrat fiton në këto shtete, ky kandidat ka të ngjarë të fitojë në zgjedhjet e nëntorit për në Shtëpinë e Bardhë”.

Ky është lajm i mirë për kandidatët kryesorë demokratë, Senatoren Hillari Klinton të Nju Jorkut and Senatorin Barak Obama të Ilinoit. Fushatat e tyre janë përpjekur të fitojnë mbështetjen e votuesve afrikano-amerikanë, veçanërisht në shtete të rëndësishme.

Kurt Schmoke, dekan i fakultetit juridik në Universitetin e Howardit, në vitin 1987 u bë zezaku i parë, që zgjidhej kryetar bashkie i qytetit të Baltimorës në shtetin Merilend. “Mendoj se shumë votues zezakë janë frymëzuar nga një numër kandidatësh, por kandidatura e senatorit Obama shton diçka të re interesante dhe entuziasmuese. Nuk po them se votuesit zezakë do të votojnë me siguri për senatorit Barak Obama, por mendoj se kandidatura e tij ka shtuar një farë entuziazmi dhe interesimi që pa dyshim është unik për mjedisin politik”.

Nëse zoti Obama fiton emërimin e partisë demokrate, thonë vëzhguesit politikë, pjesëmarrja e zezakëve në zgjedhjet e nëntorit do të jetë rekord. Megjithatë, analistët janë të mendimit se cilido kandidat që fiton emërimin e partisë nuk mund të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë pa mbështetjen e shumicës së votuesve afrikano-amerikanë.//ii

XS
SM
MD
LG