Serbët votuan në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ku do të vendoset nëse presidenti pro perëndimor Boris Tadiç do të mposhtë sfidën nga ana ultranacionalistit Tomisllav Nikoliç. Askush nga 9 kandidatët në garë për postin e presidentit nuk pritet të fitojë një shumicë votash, çka do të thotë se më 3 shkurt pritet të zhvillohet një raund i dytë midis dy kandidatëve që sigurojnë sot numrin më të madh të votave.
Votimet në mbarë Serbinë u zhvilluan të qeta. Pjesmarrja në orët e pasdites ishte më e madhe sesa qe parashikuar. Organizuesi i anketave të opinionit publik, Marko Blagojeviç thotë se fushata nuk mundi të nxiste interesin e votuesve dhe se dallimet mes kandidatëve nuk u panë si tepër të thella.
Blagojeviç thotë se anketat para votimeve treguan se votuesit nuk i shikonin këto zgjedhje si një alternativë midis nacionalizmit dhe integrimit evropian. “Mund të ndodhë që më shumë votues nuk vënë re dallimin midis dy kandidatëve kryesisht për arsye të mënyrës sesi ata bëjnë fushatë”.
Dy kandidatët kryesorë kanë folur për lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian dhe kanë theksuar nevojën për një rritje më të shpejtë ekonomike. Tetë nga 9 kandidatët thanë se Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë, edhe pse Beogradi nuk e ka administruar atë që prej vitit 1999. Ata kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, që përkrahet nga popullsia shqiptare shumicë.
Kryeministri i Kosovës thotë se pavarësia mund të shpallet brenda pak javësh.
Zoti Blagojeviç parashikon që udhëheqësi i partisë radikale Tomisllav Nikoliç të ketë fituar në raundin e sotëm, por pa siguruar shumicën e nevojshme. Parashikimi i rezultateve të raundit të dytë, thotë zoti Blagojeviç, është i vështirë pa ditur ende se cili kandidat do të përkrahet nga kryeministri Vojisllav Koshtunica.
Zoti Koshtunica mohoi hapur mbështetjen e tij për zotin Tadiç gjatë raundit të sotëm, edhe pse partia e presidentit Tadiç është anëtare kryesore e koalicionit të qeverisë së kryesuar nga Koshtunica.//ii