Lidhje

Serbia, gati plani ndëshkimor kur të shpallet pavarësia e Kosovës


Javën e kaluar Serbia miratoi një plan veprimi që do të vihet në jetë, nëse Kosova shpall pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Mendohet që në plan përfshihen kufizimi i marrëdhënieve diplomatike me vende perëndimore, të cilat njohin pavarësinë e Kosovës, si dhe bllokadë ekonomike ndaj Kosovës. Udhëheqës të biznesit në Kosovë thonë se nëse ndeshen me bllokadë ekonomike nga Serbia, ata do t’i importojnë nga vende të tjera mallrat që marrin aktualisht nga Serbia dhe nuk presin ndonjë ndikim të madh mbi tregun kosovar.

Qeveria serbe thotë se masat e parashikuara, të cilat do të vihen në zbatim nëse shpallet pavarësia e Kosovës, u miratuan në një mbledhje urgjente të kabinetit më 14 janar dhe janë të përfshira në një plan sekret të qeverisë. Sipas njoftimeve, ky plan parashikon ndër të tjera vendosjen e embargos tregtare ndaj Kosovës. Por shefi i Dhomës së Tregtisë në Prishtinë, Besim Beqaj nuk i shikon si problematike plane të tilla:

"Ditët e fundit kemi dëgjuar që Serbia ka parashikuar sanksione kundër Kosovës, kur të shpallet pavarësia. Jemi të vetëdijshëm që Beogradi mund të ndërmarrë hapa të tillë, megjithëse ne mendojmë se asnjë qeveri e përgjegjshme nuk mund të veprojë në kundërshtim me interesat ekonomike të vendit. Kosova importon sasi të konsiderueshme mallrash nga Serbia për të përmbushur kërkesat e tregut, por mund t’i përmbushim këto kërkesa pa asnjë problem. Ne, si Dhomë e Tregtisë, po përgatitemi për sanksione të tilla duke parashikuar një zhvendosje të lidhjeve tregtare. Po vendosim kontakte me vende të tjera fqinje dhe vende të Bashkimit Evropian, të cilat janë të interesuara të zëvendësojnë furnizimin e tregut me këto artikuj që për momentin i marrim nga Serbia," -tha zoti Beqaj.

Hollësi të planit serb që janë nxjerrë në shtyp, flasin për ndërprerje të furnizimit me energji, bllokimin e linjave elektrike për Kosovën, e cila blen 40 për qind të energjisë nga Serbia, si dhe embargo të tregtisë së mallrave. Një pjesë e mirë e artikujve për konsum të importuara për tregun kosovar futen përmes pikës kufitare të Merdares. Blerim Jetishi, kryedoganier në pikën kufitare të Merdares shpjegon vëllimin e transportit të mallrave në këtë pikë.

...Megjithatë, shitësit në tregjet me pakicë nuk janë të shqetësuar: Një embargo nga ana e Serbisë nuk nënkupton riorganizim vetëm për tregun e Kosovës, por një stres të konsiderueshëm edhe për prodhuesit serbë që kanë gjetur treg në Kosovë, si dhe punonjësit e infrastrukturës së kësaj tregtie. Andre Merlikov nget një maune që sjell mallra nga Serbia:

"Me gjithë këto masa që po planifikon Serbia, pa dyshim që do të ketë mbyllje të vendeve të punës, më pak lëvizje automjetesh dhe më pak të ardhura për ne.",- thotë shoferi.

Masat ndëshkimore në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk janë të drejtuara vetëm ndaj Prishtinës, por edhe ndaj vendeve perëndimore, si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që kanë sinjalizuar se do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Sipas njoftimeve, plani përfshin edhe një ngrirje të procesit për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.//lk

XS
SM
MD
LG