Lidhje

Serbia miraton marrëveshjen me Rusinë për naftën dhe gazin


Qeveria serbe miratoi një marrëveshje me Rusinë për naftën dhe gazin.

Marrëveshja përfshin shitjen Gazpromit rus të paketës kontrolluese të monopolit serb të naftës Naftna Industrija Serbije dhe ndërtimin bashkarisht të një sistemi për transportin e gazit natyror në Serbi.

Sistemi do të jetë pjesë e tubacionit South Stream, që fillon nga Deti i Zi i Rusisë e deri në destinacionet e Europës Perëndimore.

Kryeministri serb Vojislav Kostunica tha se marrëveshja do ta bëjë Serbinë një lider rajonal të energjisë.

Marrëveshja do të nënshkruhet të premten në Moskë.

Njoftimet në muajin dhjetor thoshin se gjigandi rus i naftës, Gazprom, i kishte ofruar Serbisë rreth 580 milion dollarë për blerjen e paketës kontrolluese në monopolin serb të naftës. Kritikët e kanë paralajmëruar Beogradin që të mos e shesë industrinë e tij të naftës me një çmim më të ulët se sa vlen në realitet.

Tubacioni South Stream është një projekt që rivalizon me një gazsjellës tjetër, i cili do ta sjellë gazin e Azisë Qendrore në Europë përmes Turqisë, duke ulur varësinë ndaj energjisë ruse. //ii

XS
SM
MD
LG