Lidhje

Karriera e aktorit Lexhër nga adoleshenca deri sa u bë yll kinemaje


Miq dhe admirues të aktorit Hith Lexhër po mbajnë zi për të dhe po kujtojnë sukseset e tij në karrierën kinematografike të ndërprerë para kohe nga vdekja në moshën 28 vjeçare të martën.

Admiruesit vendosën lule para apartamentit të Nju Jorkut ku aktori u gjet i vdekur. Pranë tij u gjetën ilaçe për gjumë dhe kundër depresionit. Familja e aktorit këmbëngul se vdekja ishte aksidentale. Autopsia që u bë dje, nuk arriti të nxirrte rezultate të qarta dhe do të duhet 10 ditë që një hetim i plotë të përfundojë.

Kolegët e tij në Hollivud shprehën tronditjen për vdekjen e tij, si edhe admirimin për talentin e tij si aktor. Xhefri Rash, që ka interpretuan në krah të aktorit të ndjerë në filmat “Ned Kelly” dhe “Candy” e quajti atë një aktor të ndjeshëm dhe të guximshëm në zgjedhjen e roleve. Mel Gibson, që e përzgjodhi atë për rolin në filmin “Patrioti” e quajti vdekjen e tij, tragjike. Ang Li, regjisori i filmit “Brokeback Mountain”, tha se ishte kënaqësi të punoje me aktorin. Aktori Xhon Travolta tha se talenti i Hith Lexherit ishte prekës.

Lexhër u lind në Perth të Australisë Perëndimore në vitin 1979. Ai e zbuloi pasionin për të interpretuar në një rreth drame në shkollë të mesme. Pasi roleve në filma dhe serialë televizivë australianë, ai u vendos në Los Anxheles dhe interpretoi në komedinë “10 things I hate about You”, në vitin 1999.

Më pas atij iu dha rasti të interpretonte në një film të një studioje të madhe, “Patrioti” për Revolucionin Amerikan.

Në vitin 2001, Lexhër interpretoi në filmin “A khight’s tale”, “Përralla e një kalorësi”. Ai nuk kaloi pa rënë në sy edhe në rolin e tij në filmin “Monster’s Ball”, që e merrte temën nga marrëdhëniet racore në Jugun e Shteteve të Bashkuara. Ishte i pari, në serinë e roleve serioze për të cilat ai u bë i njohur.

Në vitin 2003, ai ishte protagonisti kryesor në filmin Ned Kelly, për një bandit të famshëm australian. Ai ka interpretuar edhe role më të lehta, si për shembull tek filmi “Vëllerërit Grimm”, në krah të aktorit Matt Damon, apo tek filmi tjetër “Lords Dogtown”.

Lexhër interpretoi bashkë me aktorin Xhejk Gajllenhal në filmin “Brokeback Mountain” të vitit 2005, që u vlerësua lart nga kritika. Filmi kishte në qendër dashurinë mes dy kaubojsave. Të dy aktorët ishin kandidatë për çmimin Oskar për rolet e tyre.

Në vitin 2006, Lexhër interpretoi një poet që merrte drogë në dramën australiane “Candy”.

Ndërsa së fundmi ai ishte një nga gjashtë aktorët që portretizuan këngëtarin Bob Dillën në etapa të ndryshme të karrierës së tij në filmin “I’m not there”.

Në filmin që do të dalë në korrik “The dark knight” të serisë “Batman”, Lexhër interpreton Xhokerin djallëzor dhe kritikët thonë se mund të jetë roli më i arrirë i tij.

Ndërsa kolegët dhe admiruesit e tij kujtonin talentin e aktorit Hith Lexhër, i ati i tij Kim e kujtoi të birin për bujarinë, zemrën e mirë dhe thjeshtësinë e tij.

Lexhër u nda nga aktorja Mishell Uilliams vitin e kaluar. Ai e njohu atë gjatë xhirimeve të filmit “Brokeback Mountain”, ku ajo interpretonte gruan e tij. Ata kanë një vajzë dy vjeçare. (ze)

XS
SM
MD
LG