Lidhje

Grupi muzikor "Finger Eleven"


Kanadaja ka nxjerrë shumë artisët të mëdhenj të rrokut gjatë viteve. Nickleback, Alanis Morissette, Barenaked Ladies dhe Finger Eleven apo Gishti i Njëmbëdhjetë. Në vitin 2003 ky grup bëri emër me këngën One Thing. Ai arriti në krye të klasifikimeve në Kanada dhe në 20 më të mirat këtu në Shtetet e Bashkuara. Finger Eleven u rikthye në vitin 2007 me këngën e re Paralyzer. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Larry London bisedoi me këngëtarin kryesor Scott Anderson dhe kitaristin James Black gjatë një turneu këtu në Washington DC.

Të njohur dikur si Rainbow Butt Monkeys, djemtë e grupit Finger Eleven ranë dakort për një emër më modest ndërsa regjistruan albumin e tyre të parë Thin Spirits. "Shokët ishin në dhomën e kontrollit ndërsa unë në studio. Po dëgjonin lirikën time. Ishte hera e parë që i dëgjonin. Menjëherë më pyetën – Çfarë po thua? Ç’do të thotë Finger Eleven – Gishti i Njëmbëdhjetë? U shpjegova idenë e ecjes në rrugën tënde pavarësisht pasojave. Të bësh atë që do. Të gjithëve u pëlqeu idea dhe kaq u desh për ta marrë emrin e ri", thotë Scott Anderson.

Kitaristi James Black i cili shkruan shumicën e teksteve për grupin, thotë se Finger Eleven e ka kaluar pjesën më të madhe të katër vjetëve të fundit duke interpretuar live. Ata e morën shtruar kompozimin e albumit të ri. “U desh shumë kohë për të grumbulluar këngët që janë në album. Në vitin e parë të kompozimeve ishim ende të entuziazmuar nga turnetë, kështu që luajmë me një mentalitet ndryshe. Muzika është më shumë instrumentale dhe nuk lë shumë vend për vokalistët. Në një farë pike arritëm në përfundimin – Le të provojmë disa ide të thjeshta për t’u lënë më shumë vend vokalistëve. Por disa nga këto ide ishin shumë të thjeshta kështu që u përpoqëm të gjenim balancën. Ishte një proces i gjatë ku filluam si një grup që këndon live, pastaj një grup kompozitorësh dhe më në fund një grup artistësh regjistrimesh.”

Vidioja e këngës Paralyzer u filmua me 40 kërcimtarë profesionalistë. Kjo ishte diçka ndryshe për grupin. "Jemi në majë të çatisë duke kënduar. Energjia që vjen nga ky grup dhe nga kjo këngë është kaq shpërthyese saqë të bën të kërcesh në mes të rrugës", thotë Scott.

"E gjitha është bërë përmes efekteve të kameras. Ke një njeri dhe pas tij dhjetra të tjerë që kërcejnë. Ishte fantastike të shikoje realizimin e vidios", thotë kitaristi i grupit.

Finger Eleven ka krijuar tinguj të rinj në CD-në e re, Them-vs-You-vs-Me që përfshin për herë të parë edhe një banxho. "Me katër instrumenta në një dhomë duke luajtur me volum maksimal, pas një farë kohe sikur s’ke çfarë të bësh më. Bën marifetet e tua të zanatit por nuk ke të reja. Kështu që kërkon për tinguj të tjerë dhe isntrumenta ndryshe. Teknologjia tani të krijon mundësi për ta bërë një kitarë elektrike të tingëllojë si banxho megjithatë kishim mundësinë për të blerë një banxho të re. Me të luan ndryshe dhe krijuam këtë këngë të re që flet vetë".

Në dhjetor, Finger Eleven nxori një DVD me dy disqe në Kanada të titulluar Us-vs-Then-vs-Now. Koleksioni përfshin këngë që nuk janë të përfshira në albumin e ri. Ata kanë tashmë plane për projektin e tyre të ardhshëm. "DVDja ka 14 këngë dhe disa prej tyre nuk janë të përfshira në këtë album. Por ka disa prej tyre që them se meritojnë të dëgjohen. Albumi ka disa këngë të tjera që i kemi kompozuar gjatë natëve të dehura në autobuzët e turneve. Pas procesit të regjistrimit dhe turneut për një vit me objektivizëm panë disa këngë të pa përfshira dhe thamë – e dimë tamam çfarë duhet të ndryshojmë për ta bërë këtë këngë më të mirë. Kështu që shpresojmë që ato të jenë në albumin tonë të ardhshëm". Dhe albumi i ardhshëm është gati për t’u shkarkuar. Tani për tani, Finger Eleven do të pushojë pas turneut njëvjeçar. Admiruesit e tyre shpresojnë se nuk do të duhet të presin katër vjetë të tjerë për të dëgjuar përsëri grupin e tyre. //rd//

XS
SM
MD
LG