Lidhje

Shqipëri: KLSh konstaton shkelje për rrugën Rrëshen-Kalimash


Në Shqipëri Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një seri shkeljesh dhe parregullsi në procedurat e ndjekura për segmentin Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Raporti i kontrollit i është derguar Prokurorisë dhe nuk është bërë publik. Në të cilësohet me shkelje kontrata e lidhur me kompaninë Bechtel-Enka, e cila, thuhet aty, ka sjellë pasoja ekonomike sidomos në çmimet dhe volumet e punës të përllogaritura nga kompania e që shkojnë sipas Kontrollit në 52 milion euro. Ndërsa 49 milion të tjera janë taksa që autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër t’i paguajnë për llogari të kompanisë ndërtuese. Kontrolli i Shtetit ngarkon me pergjegjësi Ministrinë e Transporteve dhe Drejtorinë e Rrugëve

Një tjetër zë, këtë herë i specializuar, u shtohet dyshimeve mbi shkeljet dhe abuzimet me ndërtimin e segmentit Rrëshën Kalimash, pjesë e rrugës më të rëndësishme dhe projektit më të madh infrastrukturor të ndërmarrë ndonjëherë nga Shqipëria.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili nuk është bërë publik por i është dërguar Prokurorisë, nxjerr ne pah një seri momentesh që sipas këtij institucioni, përbëjnë shkelje. Kontrolli ka nisur në prill dhe ka përfunduar në nënotr të vitit të shkuar.

Sipas raportit, një kopje të të cilit Zëri i Amerikës ka mundur ta sigurojë, problemet kanë shoqëruar të gjithë procesin, që nga nisja e tij me procedurat e ndjekura deri te zbatimi dhe vonesat e ndryshme me një kosto paraprake për shtetin shqiptar deri në 100 milion euro.

Një pjesë e mirë e shkeljeve të konstatuara nga Kontrolli i lartë i shtetit, janë ato të vërejtura dhe nga Prokuoria por që nga përfaqësuesit e shumicës dhe ministri Lulëzim Basha i cili në 2006 mbulonte transportet, ato u quajtën të pavërteta si akuza me një synim politik.

Sipas një renditjeje kronologjike problemet nisin që në fillim. Ndërsa po zhvillohej gara për firmën projektuese, në korrik 2006 nisin procedurat për firmën konsulente për përgatitjen e termave të prokuorimit, konkurrimit, përzgjedhjen dhe negocimin e kontratës së ndërtimit, e cila iu dha direkt shoqërisë hollandeze “Ecorys Group”. Realizimi i tenderit pa projektin e zbatimit konsiderohet si shkelje me aktet ligjore shqiptare.

Por ende pa u nënshkruar kontrata me këtë shoqëri që duhet të përgatiste tenderin për ndërtimin, qeveria e shpall të hapur këtë garë e cila fitohet nga konsorciumi amerikano-turk Bechtel & Enka.

Kontrata me një vlerë prej 420 milion euro nënshkruhet sipas një modeli ndërkombëtar. Ajo është me çmim për njësi pune dhe me modelin projekto-ndërto. Negocimi i çmimeve është bërë nga Ecorys Grup, por kontrolli i shtetit thekson se nuk ka gjetur asnjë document mbi fillimin e negociatave apo mbledhjet dhe takimet mes palëve. Këto negociata gjithashtu nuk i janë nënshtruiar vlerësimit të një pale të tretë.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve pretendon se kjo ka ndodhur dhe se ka qenë një kompani sllovene por kontrolli i shtetit thekson se atij nuk i është vënë në dispozicion asnjë dokument që ta vërtetojë.

Nga ana tjetër sipas raportit “Modeli ndërkombëtar i Kontratës FiDiC nuk është parashikuar në ligjin shqiptar “Për Prokurimin publik”. “Vetë këto lloj kontratash nuk mund të zbatohen në kushtet e mungesës së projektit të zbatimit dhe të volumeve të punës,” thuhet në raport.

Po ashtu, sipërmarrja do të kryhet sipas legjislacionit shqiptar, por kushtet e kontratës do të interpretohen sipas ligjit anglez.

Raporti vlerëson se një kontratë e tillë ka sjellë pasoja ekonomike, kryesisht me çmimet për njësi që vlerësohen më të lartë se çmimet e tregut shqiptar apo çmime jashtë strukturës së legjislacionit shqiptar për kontratat e ndërtimit

Nga krahasimi i 22 zërave të punimeve, që kanë ngjashmëri të plotë me zërat e aplikuar nga Drejtoria e Rrugëve në segmentin pasues Kalimash-Kukës-Morinë në vitin 2006, “çmimet e ofruara nga kontraktori janë më të larta se ato të miratuara nga DPRR për vitin 2006 dhe variojnë nga 18.9 përqind deri në 778 përqind më të larta. Disa volume pune, në kontratë janë përcaktuar apriori e disa prej tyre të fryra, si pasojë e mungesës së projektit të zbatimit… Për pasojë rezulton një rritje fiktive e kontratës në vlerën rreth 52 milion euro,” thuhet në raport.

KLSH ka kundërshtuar gjithashtu dhënien e 80 milion eurosh në formë paradhënie, ose 19 përqind të vlerës së kontratës kur ligji shqiptar parashikon vetëm 10 përqind.

Po ashtu 13 milion të tjera të parashikuara si Kosto e Tërthortë e Kapitalit sipas KLSH nuk parashikohet nga legjislacioni shqiptar. I njëjti vlerësim edhe për 1.650.000 euro për tarifën e menaxhimit.

Shkelje cilësohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit edhe vendimi për të shmangur nga detyrimet e TVSh dhe Tatimin në burim firmën ndërtuese të cilat kapin një total prej 49 milion eurosh.

Sipas KLSh edhe firmat e ngarkuara për projektin janë favorizuar nga DPRR e cila ka marrë përsipër pagesën e 10 përqind të Tatimit në burim gjë e cila llogaritet si një dëm prej 378 mijë eurosh.

Por ndërsa mungesa e projektit ka sjellë një seri pasojash, autoritetet shqiptare nuk e kanë miratuar atë ndonëse firmat e ngarkuara, kanë dorëzuar, sipas raportit, draftet e projekteve që në mesin e vitit të shkuar.

Për njërin segment ai është kthyer pas. Probleme ka dhe me këto drafte ku nga oponenca e institucioneve shqiptare del një diferencë prej 4 kilometrash në gjatësinë e rrugës. Vonesat në projekt sipas raportit mund të sjellin rritjen e kostos pasi ndërtuesi mund të kërkojë penalitete. Ndërkohë që vetë kompania sipas raportit ka vonesa në realizimin e punimeve dhe deri në gushtin e vitit të shkuar kishte realizuar vetëm 10 përqind. E megjithatë, për shkak të hapësirave të kontratës, janë kërkuar edhe afër 142 milion euro shtesë, gjë që do ta çonte vlerën paraprake të rrugës në 560 milion euro.

Raporti ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Transporteve dhe drejtuesit e Drejtorisë së Rrugëve për shkeljet e konstatuara, por fjala e fundit i mbetet megjithatë drejtësisë. Prokuoria e Përgjithshme, e cila ka në dorë edhe këtë raport, po heton mbi këtë çështje, për të cilën parlamenti shqiptar në fund të vitit të shkuar miratoi edhe heqjen e imunitetit të ministrit Lulëzim Basha. //ii

XS
SM
MD
LG