Lidhje

Kequshqyerja dhe shëndeti i nënës dhe fëmijës


Një studim i ri i publikuar në revistën britanike Lencet arrin në përfundimin se çdo vit në vendet e varfëra, mbi 3,5 milionë nëna dhe fëmijë nën moshën 5-vjeçare vdesin pikërisht për shkak të kequshqyerjes. Në vazhdim do t’ju njohim me studimin e ri dhe ndikimin që ka kequshqyrja në jetën e nënave dhe fëmijëve.

Sipas studimit, 35 për qind e numrit të vdekjeve tek fëmijët në mbarë botën shkaktohet nga kequshqyerja, apo nga uria. Revista mjekësore britanike Lancet, publikoi kohët e fundit një seri prej 5 studimesh. Autorët e studimit arrijnë në përfundimin, se për zgjidhjen e këtij problemi do të duheshin më tepër investime në shërbimet që kanë të bëjnë me ushqyerjen dhe me përmirësimin e sistemit të shëndetësisë. Në studim u përfshinë vende të varfëra dhe mesatarisht të varfëra të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine.

Robert Blek, i shkollës Bloomberg për Shëndetin Publik të Universitetit Johns Hopkins në Merilend, ishte autori kryesor i serialit. Ai thotë se mbi 3,5 milionë nëna dhe fëmijë nën moshën 5-vjeçare vdesin çdo vit në vendet e varfëra, për shkak të kequshqyerjes. Ai thotë gjithashtu, se mbi 2 milionë fëmijë vdesin për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit, para ose pas lindjes, ose nga shpërdorimet e mëdha. Miliona të tjerë që arrijnë të mbijetojnë, mbeten sakatë për jetë, ose vdesin para kohe. Por pasojat nuk janë vetëm fizike. Zhvillimi jo i mirë i trurit për shkak të kequshqyerjes në vitet e fëmijërisë mund të kufizojë suksesin e tyre në jetë, pra nivelin ekonomik të familjes, kur ata arijnë në moshë madhore. Pastaj, cikli i varfërisë dhe kequshqyerjes, shpesheherë ripërsëritet edhe për fëmijtë e tyre.

Doktor Blek thotë se fëmijët e kequshqyer, po ashtu rrezikohen të preken nga tensioni i lartë i gjakut, diabeti dhe sëmundje të zemrës, kur ata rriten. Ai thotë se studimet tregojnë që programet e ushqyerjes duhet t’i kushtojnë më tepër rëndësi dy viteve të para të jetës së fëmijëve. Fëmijët e kequshqyer mund të vuajnë nga dëmtime të përhershme që në moshën dy vjeçare.

Studjuesit thonë se nënat duhen nxitur që t’i ushqejnë me gji siç duhet fëmijët e tyre. Po ashtu, ushqyerja e tyre duhet të përfshijë ushqime të pasura me vitaminën A dhe me mineralin zink. Studjuesit thonë se kujdesi i duhur për fëmijët që në vitet e para të jetës së tyre, mund të ulë numrin e vdekjeve tek fëmijët me 25 për qind. Ushqyerja e pamjaftueshme është një formë e kequshqyerjes. Por kequshqyerja shfaqet edhe permes mbi-ushqyerjes.

Seriali i revistës Lancet për ushqyerjen e nënave dhe fëmijëve ka ndeshur në kritika. Organizata “Mjekët pa Kufi” e vlerësoi serialin, që ka tërhequr vëmendjen për këtë çështje, por organizata thotë se studjuesit e nënvleftësojnë numrin e vdekjeve tek fëmijët nga kequshqyerja dhe se duhet bërë më tepër për këtë çështje në të ardhmen. //ad//

XS
SM
MD
LG