Lidhje

Biznesi social, përvojë e re në ekonominë shqiptare


Fondacioni Rinor i Shërbimeve Profesionale (YAPS) është një nga përvojat e rralla të ekonomisë shqiptare. Ky projekt i biznesit social ka bashkuar një grup të rinjsh jetimë, disa të tjerë me aftësi të kufizuara dhe ata nga pakicat kombëtare, duke u dhënë një punë për t’i larguar nga varfëria dhe mizerja. “Ne këtu nuk kemi paragjykime; punojmë të gjithë si të barabartë, dhe janë të gjithë të rinj nga 17 deri në 27 vjeç” - thotë Arben Shamia, drejtori i YAPS.

Kur qendra nisi punë 6 vjet më parë me 25 të rinj ata shpërndanin vetëm 600 dërgesa postare në pak adresa, por u bënë fitimprurës brenda pak muajsh atëherë. Ndërsa tani kur punëtorët aty janë trefishuar numri i pakove postare që ndan YAPS ka shkuar në mbi 40 mijë.

"Në fillim ishte vetëm një grup prej 20 vetësh, por me kalimin e kohës puna u shtua mjaft, dhe duhej që të shtoheshin edhe njerëzit, edhe shërbimet” - thotë Arben Shamia drejtori i YAPS. Midis klientëve të tyre të rregullt në shërbimet postare janë kompani të njohura si ato të prodhimit të pijeve freskuese, apo edhe kompani të telefonisë celulare, që u shpërndajnë faturat në cdo shtëpi.

Një nga sukseset e tyre të spikatura është pastrimi i xhamave dhe mermerit në qendrat e biznesit me pajisje bashkëkohore. Ky lloj shërbimi modern, ku një pjesë e punëtorëve të rinj janë romë dhe vajza të shpëtuara nga trafiqet, është bërë aq shumë i kërkuar kohët e fundit saqë po zë afro gjysmën e fitimeve të Qendrës Rinore, duke u barazuar edhe me sektorin e postës.

Një pjesë e të rinjve, ata me aftësi të kufizuara, punojnë si monitorues të programeve televizive, në sektorin e reklamave apo të emisioneve të ndryshme. Ndërsa të tjerët tani janë postierë por edhe mjeshtra të shërbimeve të ndryshme elektro-teknike. Ata kryejnë cdo muaj dhjetëra riparime hidraulike, elektrike dhe ndërtimore. Vetëm përkushtimi ndaj punës është Fondacioni Rinor i Shërbimeve Profesionale rruga më e mirë për t’i bërë këta të rinj qytetarë të vlefshëm për shoqërinë, duke braktisur varfërinë dhunën dhe vetminë. //rd//

XS
SM
MD
LG