Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara kanë ngjallur interesim mjaft të madh mes amerikanëve sidomos mes të rinjve dhe sidomos demokratëve të cilët shpresojnë të kenë kandidatin e tyre në Shtëpinë e Bardhë pas 8 vjetëve të një presidence republikane. Por le t’u hedhin një vështrim kandidatëve dhe sistemit në bazë të cilit zhvillohen zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.
Amerikanët përballen sot me një sërë problemesh të rëndësishme, siç janë dobësimi i ekonomisë dhe lufta në Irak. Veç këtyre, janë edhe çështje të tilla si rënia e tregut të shitblerjes së shtëpive, çmimi i lartë i kujdesit shëndetësor dhe i energjisë si dhe debati rreth imigracionit të paligjshëm.
Por zgjedhjet kësaj here po bëhen interesante edhe nga vetë fakti se cilët janë kandidatët që konkurrojnë.
Demokratja Hillary Clinton do të bëhej presidentja e parë grua e Amerikës, nëse zgjidhet ndërsa demokrati Barack Obama do të ishte presidenti i parë zezak i Amerikës. Republikani John McCain është 72 vjeç dhe në rast se zgjidhet, do të ishte presidenti më i vjetër në moshë i zgjedhur ndonjëherë. Ose, nëse fiton republikani Mitt Romney, ai do bëhej presidenti i parë i fesë mormone në Amerikë.
Zgjedhjet do të zhvillohen më 4 nëntor të këtij viti dhe emrat e dy kandidatëve do të dalin nga procesi i emërimit i cili filloi menjëherë pas vitit të ri.
Sistemi i votimit për zgjedhjen e kandidatëve presidencialë nuk është aq i thjeshtë dhe secili shtet ka procesin e tij por për kandidatët qëllimi është i njëjtë: të sigurojnë sa më shumë delegatë nga çdo shtet për të fituar emërimin e partisë së tyre.
Zgjedhjet në shtete, pra për të marrë emërimin në secilin shtet, do të vazhdojnë deri në muajin qershor. Shumica e proceseve të votimit zhvillohet në formën e zgjedhjeve paraprake, por forma të tjera mund të jenë takimet ose konferencat apo kuvendet partiake të shteteve.
Partia Demokrate do ta zhvillojë kuvendin e saj kombëtar për emërimin e kandidatit në muajin gusht në Denver të Kolorados ndërsa republikanët do të mblidhen në shtator në Minneapolis-Saint Paul të shtetit Minnesota.
Për të fituar emërimin, kandidatëve do t’u duhet një shumicë e thjeshtë e delegatëve të partisë së tyre. Por rregullat për të përcaktuar numrin e delegatëve të fituar nuk janë aspak të thjeshta.
Demokratët dhe republikanët janë dy partitë kryesore politike në Shtetet e Bashkuara por kandidatë emërojnë edhe parti të tilla të vogla si Partia e Gjelbër.
Procesi i emërimit të kandidatëve brenda partive filloi në shtetin Iowa në muajin janar. Në konferencat partiake, votuesit mblidhen zakonisht në objekte të tilla publike si shkolla, biblioteka dhe madje edhe në shtëpinë e dikujt. Në disa konferenca të tilla zgjedhjet bëhen me votim të fshehtë ndërsa në disa raste të tjera votuesit mblidhen në pjesë të veçanta të një salle për të treguar se cilin kandidat favorizojnë.
Pra, ndryshimi kryesor midis zgjedhjeve paraprake dhe votimeve me anë konferencash ka të bëjë me procesin: zgjedhjet paraprake u ngjajnë më tepër votimeve tradicionale.
Këtë vit, zgjedhje paraprake do të zhvillohen në më shumë se 40 shtete. Në disa shtete zgjedhjet zhvillohen të hapura, pra aty mund të marrin pjesë edhe votues të pavarur. Të tjera janë të mbyllura, aty mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e partisë për të cilën votohet.
Aftësia për të fituar në një votim të mbyllur mund të shërbejë si një provë e rëndësishme që tregon mbështetjen e partisë ndaj kandidatit.
Për shembull, dy zgjedhjet e para paraprake që u fituan nga zoti John McCain, në New Hampshire dhe në Karolinën e Jugut, ishin me sistem të hapur dhe senatori i Arizonës i fitoi ato duke u bazuar në forcën e votuesve të pavarur. Fitorja e tij javën e kaluar në Florida ishte e para e bazuar tek vota vetëm e republikanëve.
Dita e djeshme u quajt super e marta sepse ishte dita kur zgjedhjet për emërimin e kandidatëve u mbajtën në një shumicë shtetesh njëherësh.
Zgjedhjet paraprake u bënë pjesë e rëndësishme e procesit të emërimit vetëm pas viteve 1960 sepse përpara kësaj periudhe ato mbaheshin vetëm në disa shtete dhe kandidatët përcaktoheshin kryesisht në kuvendet e partisë nga ana e udhëheqësve të partive.
Shumë amerikanë nuk e pëlqenin atë sistem dhe presioni për t’u dhënë fund allishverisheve politike çoi në vendimin që zgjedhje paraprake të zhvilloheshin edhe në shtete të tjera. Por lindën edhe kritika sepse disa shtete të vogla ku zgjedhjet paraprake mbahen në fillim të procesit marrin kështu një ndikim të tepërt në garën presidenciale. Në këto raste kandidatët u kushtojnë më tepër vemendje shteteve të vegjël ku garat zhvillohen në fillim se sa shteteve të mëdhenj ku votimet zhvillohen më vonë.
Këtë herë, shumë shtete vendosën që zgjedhjet paraprake t’i organizojnë më herët se në të kaluarën. Super e marta këtë herë përfshinte shtete të tillë të mëdhenj si Kalifornia dhe Nju Jorku, të cilët kanë qindra delegatë.
Dje, zgjedhje paraprake ose konferenca partiake u zhvilluan në 24 nga të 50 shtetet e Amerikës me një përjashtim – republikanët në Virxhinian Perëndimore i bënë zgjedhjet në formën e një kuvendi të partisë.
Analistët thonë se duke i zhvilluar zgjedhjet paraprake në pothuajse gjysmën e numrit të shteteve brenda një dite të vetme, siç ndodhi dje, kjo e vë më shumë theksin te grumbullimi i fondeve nga ana e kandidatëve për reklama televizive dhe udhëtime fushate.
Kjo gjithashtu e shton presionin ndaj kandidatëve që ata ose të arrijnë rezultate qysh në fillim ose të largohen nga gara, siç kanë bërë disa deri tani.
Për shembull, të mërkurën e kaluar, senatori John Edwards u largua nga gara e demokratëve, ndërsa kryebashkiaku i Nju Jokut, Rudy Giuliani e la garën republikane. Askush prej tyre nuk arriti të fitojë ndonjë shtet.
Demokratët e kanë ngushtuar garën midis tyre tek dy kandidatë: Senatorja Hillary Clinton e Nju Jorkut dhe Senatori Barack Obama i shtetit Illinois. Ish presidenti Bill Clinton ka bërë fushatë për bashkëshorten e tij. Por sulmet e tij të fundit kundër zotit Obamës u bënë shkak për kritika të shumta brenda partisë.
Megjithatë, zonja Clinton hyri në votimet e djeshme me një numër më të madh delegatësh se sa rivali i tij. Por edhe sikur ndonjëri prej kandidatëve demokratë të fitojë në të 22 shtetet ku u zhvilluan garat dje, kjo nuk i jep atij ose asaj numrin e mjaftueshëm të delegatëve për të siguruar emërimin.
Për të marrë emërimin demokrat duhet të fitosh 2025 delegatë ndërsa për emërimin republikan duhen 1191 delegatë.
Para se të fillonin zgjedhjet paraprake, shumë ekspertë parashikonin se me mbylljen e votimeve të super së martës, fituesit nga secila parti do të ishin të qartë. Por tani duket se nuk do të jetë kështu.
Mes demokratëve, delegatët ndahen në mënyrë proporcionale, për shembull nëse njëri kandidat demokrat merr 40% të votës popullore në një shtet, ai fiton 40 përqind të delegatëve të atij shteti.
Ndërsa republikanët zakonisht përdorin sistemin ku fituesi i merr të gjitha, pra kandidati me një përqindje më të madhe të votës popullore në një shtet i merr të gjithë delegatët e atij shteti. //ii