Lidhje

Republikani Mit Romni del nga gara presidenciale


Ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Mit Romni, u tërhoq nga gara për kandidat të Partisë Republikane për në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Zoti Romni e bëri njoftimin sot në Uashington, dy ditë pasi fitoi në disa shtete në zgjedhjet paraprake të Super së Martës, por nuk ishte në gjendje të fitonte më shumë sesa rivali i tij kryesor, senatori Xhon Mekejn. Ai tha se vazhdimi i garës së tij për kundrejt zotit Mekejn do të bllokonte fillimin e një fushate mbarë kombëtare, duke e bërë më të lehtë për kandidatët demokratë, Hillëri Klinton dhe Barak Obama që të fitojnë.

Ish guvernatori i Masaçusetsit tha se dy kandidatët demokratë e kanë bërë të qartë se synojnë të tërheqin trupat nga Iraku, prandaj ai nuk mund të lejojë fushatën e tij, siç u shpreh ai, që të ndihmojë në dorëzimin ndaj terrorizmit. Senatori Mekejn e quajti veten kandidatin kryesor republikan pasi fitoi në nëntë shtete të martën. Ai ka tani më shumë se gjysmën e votave të delegatëve që duhen për të fituar emërimin e partisë së tij si kandidat për president.

Ish guvernatori i shtetit Arkansa, Majk Hakëbi, vazhdon garën për emërimin e Partisë Republikane bashkë me anëtarin e kongresit amerikan, Ron Pol, i cili është shumë mbrapa. Për demokratët, senatorët Hillari Klinton dhe Barak Obama arritën të dy fitore të rëndësishme, por asnjeri nuk siguroi dot numrin e mjaftueshëm për të siguruar fitoren brenda partisë. Fushata e zonjës Clinton konfirmoi të mërkurën se ajo kishte dhënë hua 5 milionë dollarë për këtë fushatë, gjë që sipas zyrtarëve tregon angazhimin e saj për të siguruar fonde të mjaftueshme, por shumë analistë thonë se mund të jetë edhe shenjë problemesh financiare. Fushata e zotit Obama njofton se ai ka grumbulluar 32 milionë dollarë në janar, ndërsa fushata e zonjës Clinton 14 milionë. //rd//

XS
SM
MD
LG