Lidhje

Nato-ja shton masat e sigurisë në Kosovë


NATO-ja po shton masat e sigurisë në Kosovë, në prag të shpalljes së pavarësisë nga Serbia, që pritet së shpejti. Komuniteti ndërkombëtar po përgatitet të mbrojë mbi 100 mijë banorët serbë të Kosovës, të cilët ende jetojnë atje.

Sot në rrugët e Graçanicës, pjesëtarët suedezë të forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë, po patrullonin rrugët e qytetit në përpjekje për të garantuar, nëpërmjet pranisë së tyre të dukshme, sigurinë e banorëve serbë.

Ndërkohë në kryeqytetin e Lituanisë Vilnus, ministrat e jashtëm të NATO-s filluan po sot dy ditë takimesh jo-zyrtare. Në bisedimet e Vilnusit në rendit të ditës do të jetë Kosova, ku 16 mijë paqëruajtës të NATO-s po mernin masa për trazira të mundshme nëse Kosova shpall pavarësinë këtë muaj.

Ministrat mund të diskutojnë mbi zgjerimin e rolit të paqëruajtësve për të ndihmuar në stërvitjen e forcave të sigurimit të Kosovës. KFOR-i ka filluar dislokimin e trupave shtesë në Kosovë, ndërsa pritet që Prishtina të shpallë pavarësinë. Trupat shtesë, shumica gjermanë dhe amerikanë, u dislokuan kryesisht në Mitrovicën e tensionuar.

Serbët janë zotuar ta hedhin poshtë pavarësinë e Kosovës dhe kanë thënë se janë gati të bëjnë ç’është e mundur të ruajnë lidhjet me Serbinë. Vendet e Bashkimit Evropian miratuan paraprakisht këtë javë planet për dërgimin e një force prej 1 mijë e 800 trupash në Kosovë për të zëvëndësuar misionin e tanishëm të OKB-së.

Dërgimi i misionit të BE-së është vështirësuar për shkak të kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, kryesisht Qipros, e cila thotë se një hap i tillë do të krijonte precedent për separatistët në ishillin e ndarë. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun tha javën e kaluar se Bashkimi Evropian duhet të marrë përgjegjësitë për Kosovën. //rd//

XS
SM
MD
LG