Lidhje

Llajën: Kundërpërgjigja e Serbisë ndaj pavarësisë kufizohet thjesht në masa simbolike


Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Xhejms Llajën, thotë se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi dhe fitorja e pro-perëndimorit Boris Tadiç nuk kanë ndikim tek momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe se kjo e fundit është vetëm çështje javësh. Analisti i Grupit të Krizave shton se kundërpërgjigja e Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës ka të ngjarë të kufizohet thjesht në masa simbolike.

Zëri i Amerikës: Zoti Llajën, Boris Tadiç fitoi zgjedhjet presidenciale në Serbi. Çfarë do të thotë kjo për çështjen e pavarësisë së Kosovës? A mund të ketë vonesa të tjera siç ka njoftuar media herë pas here?

Xhejms Llajën: Unë nuk parashikoj ndonjë vonesë për shkak të rezultateve të këtyre zgjedhjeve. Mendoj se çështja e pavarësisë së Kosovës është çështje javësh dhe jo muajsh. Fitorja e zotit Tadiç nuk mendoj se ndikon tek momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Besoj se e vetmja gjë që mund të ndikojë tek momenti i shpalljes së pavarësisë dhe datës së saktë tani është koordinimi me Bashkimin Evropian. Me sa kuptoj unë këtu çështja qëndron tek përgatitja e misionit të BE-së dhe arritja e një konsensusi mes sa më shumë anëtarëve të kësaj organizate që të jetë e mundur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Pra çështja nuk ka të bëjë me Serbinë, por me koordinimin mes Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë së Prishtinës.

Zëri i Amerikës: Zoti Tadiç ka thënë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. A mund të presim në këtë rast një bllokadë ekonomike?

Xhejms Llajën: Ёshtë e vështirë të thuhet se si do të veprojë Serbia. Ne e dimë se qeveria ka miratuar një plan-veprimi sekret për t’iu kundërpërgjigjur pavarësisë së Kosovës. Por e dimë gjithashtu se Serbia nuk do të ndërmarrë veprime ushtarake. Shpresojmë që reagimi nga shqiptarët dhe serbët e Kosovës të jetë paqësor dhe situata të mos keqpërdoret. Flitet se Serbia mund të marrë masa ndaj vendeve që e njohin Kosovën duke pakësuar lidhjet diplomatike dhe hequr lidhjet në nivelin e ambasadorëve. Përmendet gjithashtu edhe bllokada ekonomike, megjithëse një gjë e tillë do të dëmtonte më shumë serbët në Kosovë sesa shqiptarët. Pyetja qendron nëse Serbia do të ndërpresë energjinë elektrike apo ujin e pijshëm. Sidoqoftë, masat janë marrë në rast se këto do të ndodhin. Mendojmë se veprimet që mund të ndërmarrë Serbia do të jenë thjesht simbolike.

Zëri i Amerikës: Shumica e serbëve në Kosovë kanë votuar për ultranacionalistin Nikoliç. Si ndikon zgjedhja e Tadiçit tek ato?

Xhejms Llajën: Zgjedhja e zotit Tadiç nuk ndikon fare tek ata, sepse zoti Tadiç duke qenë president i Serbisë nuk do t’u kthejë shpinën atyre. Mendoj se është e qartë se Serbia nuk do të heqë dorë nga serbët e Kosovës dhe do të ruajë lidhjet e ngushta duke i ndihmuar ata nga ana ekonomike, sociale dhe financiare. Pra, politikat e zotit Tadiç ndaj tyre nuk do të ndryshojnë.

Zëri i Amerikës: Tani që serbët votuan për zotin Tadiç duket se ata kanë zgjedhur rrugën drejt Evropës. A do të thotë kjo se mund të shohim një rritje të bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar dhe me Gjykatën e Hagës (Gjykata Penale Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi)?

Xhejms Llajën: Mendoj se ata që i shohin rezultatet e zgjedhjeve në Serbi si fitore të rrugës drejt Evropës nuk i kanë kuptuar tamam këto rezultate dhe po shohin atë që duan dhe jo atë që ka ndodhur në të vërtetë. Zoti Tadiç mezi i fitoi zgjedhjet me 51% dhe ky nuk mund të konsiderohet mandat i fuqishëm për një platformë evropiane. Arsyet përse zoti Nikoliç mori 48% nuk ishte për shkak të nacionalizmit, dhe Bashkimi Evropian vazhdon ta injorojë këtë fakt. Arsyeja pse njerëzit votuan në masë për zotin Nikoliç ishte nga shkalla e lartë e pakënaqësisë së popullit me demokratët dhe koalicionin qeveritar. Ata kanë qenë 7 vjet në pushtet që nga rrëzimi i Millosheviçit dhe populli serb e sheh që gjendja ekonomike nuk është përmirësuar. Ata i shohin reformistët si shumë të korruptuar. E kanë parë që asgjë nuk ka ndryshuar dhe kanë menduar t’i japin kandidatit tjetër një mundësi.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të thotë fakti që 48% e serbëve votuan për ultranacionalistin Nikoliç?

Xhejms Llajën: Mendoj se arsyeja kryesore ishte ekonomia dhe anketat e opinionit publik kanë treguar se ekonomia ka qëndë faktor qenësor në këto zgjedhje. Mendoj se shumica e serbëve duan të jetojnë më mirë, ata nuk janë të kënaqur me atë që po bëjnë demokratët dhe duan ndryshime. Shumë nga ata që përpara kanë votuar për demokratët, kësaj here ose votuan për zotin Nikoliç ose nuk votuan fare. Njerëzit kësaj here kanë votuar bazuar tek ekonomia. Pak prej tyre kanë votuar për çështjet nacionaliste.

Zëri i Amerikës: Zoti Koshtunica nuk e mbështeti zotin Tadiç gjatë zgjedhjeve presidenciale. Tani që ky i fundit fitoi zgjedhjet, a mund të qeverisë zoti Koshtunica me efikasitet? A do të ketë probleme mes këtyre dy udhëheqësve politikë?

Xhejms Llajën: Ishte e qartë se zoti Koshtunica shkeli kushtet e marrëveshjes së koalicionit dhe një nga këto kushte ishte që Blloku i tij i Popullit do të mbështeste presidentin Tadiç në zgjedhje. Kjo nuk ndodhi. Zoti Tadiç e kuptoi se ai mund të fitonte edhe pa mbështetjen e Koshtunicës. Zoti Tadiç dhe partia e tij kanë vazhduar t’i bëjnë lëshime zotit Koshtunica me shpresën se ky i fundit do ta përkrahte. Por tani, zoti Tadiç ka dhënë një mesazh të qartë se nuk do të bëjë më lëshime ndaj zotit Koshtunica. Prandaj edhe nuk duhet të habitemi nëse presioni ndaj zotit Tadiç rritet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja sa më parë. //rd//

XS
SM
MD
LG