Lidhje

Ashpërsohet beteja Klinton-Obama për emërimin e Partisë Demokrate


Në Shtetet e Bashkuara, beteja për të marrë emërimin e partisë demokrate është ashpërsuar pas fitores të shtunën të senatorit Barak Obama në katër gara kundër senatores Hillëri Klinton.

Zoti Obama fitoi zgjedhjet paraprake në Luiziana, Nebraska, Uashington dhe ishujt Virgin. Megjithatë, Senatorja Klinton vazhdon të ketë një epërsi të vogël.

Në garën e partisë republikane, Majk Hakëbi mundi në Luiziana dhe Kansas senatorin Xhon Mekejn. Ky i fundit mori një fitore të ngushtë në shtetin e Uashingtoni dhe kryeson ndjeshëm për nga numri i delegatëve të fituar.

Demokratët kanë një tjetër garë të dielën në shtetin Maine. Kurse të martën, pretendentët e të dyja partive do të përballen në Virginia, Maryland dhe në kryeqytetin amerikan Uashington.

Senatori Obama, që është afrikano-amerikan, fitoi në Luiziana, ku pjesa më e madhe e popullsisë është po afrikano-amerikane, por ai fitoi edhe në shtetin e Nebraskës, me popullsi kryesisht të bardhë dhe në shtetin e Uashingtonit, ku popullsia është e larmishme, duke e përforcuar kështu imazhin e tij si kandidat që tërheq votuesit, pavarësisht nga raca.

Në një fjalim të shtunën vonë në kryeqytetin e Virxhinias, Riçmond, zoti Obama tha pikërisht se ai ka treguar se mund të fitojë në pjesë të ndryshme të vendit.

“Sot votuesit që nga perëndimi i vendit e deri në zemër të Amerikës, ngritën zërin dhe thanë: ‘Po, ne mund të fitojmë’. Ne fituam në Luiziana, në Nebraska, në shtetin e Washingtonit. Ne fituam në Veri, në Jug dhe në hapësirën mes tyre”.

Në garat e Partisë Republikane, ish-guvernatori i Arkansasë Majk Hakëbi fitoi në shtetin e Kansasit me 60 për qind, ndërsa senatori i Arizonës Xhon Mekejn mori 24 për qind.

Në shkallë kombëtare, zoti Hakëvi është shumë mbrapa zotit Mekejn, i cili ka fituar në më shumë shtete dhe ka më shumë delegatë që janë të nevojshëm për të siguruar emërimin. (ze)

XS
SM
MD
LG