Demokratët në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe në shtetet pranë tij, Virxhinia dhe Merilend, do të votojnë të martën për të zgjedhur mes dy kandidatëve të mbetur për emërimin e Partisë Demokrate. Gara ka marrë emrin zgjedhjet paraprake të Potomakut, sipas lumit që rrjedh pranë kryeqytetit të vendit dhe ndan dy shtetet e tjera. Votuesit demokratë në këto shtete thonë se e kanë të vështirë të zgjedhin mes dy kandidatëve më të mirë për emërimin e Partisë Demokrate.
Në anën tjetër të lumit Potomak nga kryeqyteti i vendit shtrihet shteti i Virxhinas, i cili është tani fushëbeteja e zgjedhjeve paraprake.
Demokratët do të dërgojnë 103 delegatë në kuvendin kombëtar të partisë së tyre.
Senatorja Hillari Klinton, e cila shpreson t’i rrisë shanset për emërim, bëri një fushate të ethshme javën e kaluar për zgjedhjet paraprake në këtë shtet.
Ajo dëshiron të bëhet gruaja e parë që zgjidhet për në Shtëpinë e Bardhë, dhe po lufton për çdo votë me senatorin Barak Obama, i cili do të ishte presidenti i parë afrikano-amerikan.
“Mendoj se ka energji dhe entusiazëm të jashtëzakonshëm në partinë demokrate", tha senatori Obama.
Zoti Obama ka marrë përkrahje të madhe nga afrikano-amerikanët në shtetet jugore. Por në Virxhinia ka më pak afrikano-amerikanë.
Në shumë prej garave të fundit latino-amerikanëve kanë votuar për zonjën Klinton. Ja si shprehet kjo hispanike nga Virxhinia.
“Shumë njerëz, miqtë e mi dhe familja ime, mendojnë se Hillari është e përsosur për postin e presidentit.”
Por hispanikët përbëjnë një përqindje të vogël votuesish. Komunitetet e pasura në periferitë e Virxhinias pranë Uashingtonit, të cilat kanë para për të shpenzuar dhe janë të mbushur me demokratë, ofrojnë një rast të mirë për fushatat.
Përkrahësit e zonjës Klinton u mblodhën në Virxhinia me 7 shkurt për t’u takuar me të. Mes atyre që ishin mbledhur për t’u takuar me ish Zonjën e Parë ishin gra që krenoheshin për mundësitë që përfaqëson senatorja Klinton për to dhe vajzat e tyre.
Jo larg prej tyre, gratë të tjera u mblodhën për mëngjes të nesërmen në një lagje të pasur periferike. Por shumë prej tyre në moshë të mesme apo më të moshuara nuk e përkrahin zonjën Klinton.
“Doja të kisha kënaqësi që një grua po kandidon për presidente e Shteteve të Bashkuara.”
Robin Lejthëmit nuk i pëlqen që zonja Klinton ka arritur deri këtu me ndihmën e bashkëshortit të saj, ish presidentit Bill Klinton.
“Pёr mendimin tim, Hillari Klinton nuk po punon për feminizmin apo të drejtat e grave.”
Përkrahësit e Senatorit Obama po përpiqen të bindin votuesit e pavendosur si Sendi Trinor, e cila thotë se nuk e di ende se çfarë zgjedhjeje do të bëjë të martën.
“Për mua është e rëndësishme të kesh një grua presidente, por mendoj se senatori Obama mund të bëjë që Amerika të pëlqehet përsëri në botë".
Vendimi është i vështirë për shumë votues demokratë siç është Linda Hardi. Megjithatë ajo ka vendosur.
“Më pëlqen fakti që Obama po i bashkon njerëzit. Ai është shumë entuziast për t’i bërë të dy partitë të punojnë së bashku”.
Shumë përkrahës të zotit Obama dhe zonjës Klinton thonë se pasi të zgjidhet i emëruari nga votimet paraprake ata do të përkrahin cilindo që të fitojë emërimin e Partisë Demokrate. (ze)