Lidhje

DioGuardi: Pavarësia, plotësim i aspiratave shumëvjeçare shqiptare


Presidenti i Lidhjes qytetare shqiptaro-amerikane, Joseph Dioguardi, thotë se askush nuk duhet të trembet nga pavarësia e Kosovës. Ajo i shërben stabilitetit të rajonit, është në të mirën e Serbisë për t'u integruar në Bashkimin Evropian, dhe natyrisht është plotësimi i aspiratave shumëvjeçare të shpiptarëve. Pavarësia e Kosovës është në përputhje të plotë me idealet dhe institucionet amerikane, thotë ish-kongresmeni amerikan, dhe u shërben interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti DioGuardi, pritet që Kosova të shpallë pavarësinë të djelën më 17 shkurt. Si e prisni këtë zhvillim?

Joseph DioGuardi: Isha atje rreth një vit më parë duke menduar për një zgjidhje përpara zgjedhjeve në Serbi, por nuk ishte e thënë të bëhej. Por të paktën, në atë kohë e dinim se Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ku gjithashtu shkova për vizitë, ishin të përgatitura për të qënë të parat që do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, qëndrim që e shikoj edhe tani. Çfarëdo që të bëjë tani Serbia, mua më duket se Kosova ndodhet në duar të sigurta për shkak të punës të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, që duke punuar së bashku për më shumë se 20 vjet, hodhëm themelet për këtë. Ishin Kongresi Amerikan, ishin burra si Tom Lantos, senator Biden, kongresmeni Hayden, Gilman, njerëz të cilët vazhdimisht i thoshin Departamentit të Shtetit se politika ndaj popullit shqiptar në ish-Jugasllavi dhe në Kosovë duhej ndryshuar.

Zëri i Amerikës: Disa ish diplomatë amerikanë kanë shprehur shqetësimin se pavarësia e Kosovës do të ishte në dëm të interesve të Shteteve të Bashkuara në raport me disa fuqi rajonale dhe botërore. Kjo frikë është shprehur edhe nga disa analistë të çështjeve ballkanike. Cili është mendimi juaj?

Joseph DioGuardi: E vetmja gjë që do të dëmtonte interesat tona do të ishte vazhdimi i destabilizimit në rajon dhe jo pavarësia e Kosovës. Për shumë vjet dhamë argumenta për këtë çështje, janë bërë shumë seanca dhe hartuar rezoluta nga Kongresi. Seanca e parë në vitin 1990 zgjati rreth 5 orë. Në të mori pjesë dhe zoti Rugova, senatori Pell dhe kongresmani Lantos. Një vit më vonë në senat diskutuan senatori Pell dhe senatori Biden dhe më vonë, ky problem u diskutua nga njerëz të tjerë shumë të rëndësishëm në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë, duke mos harruar kongresmenin Gilman dhe paraqitëm argumente se ajo që shkaktonte destabilizimin e rajonit ishte mënyra se si shqiptarët ishin trajtuar nga serbët prej ndoshta 100 vjetësh dhe padyshim pas vdekjes së Titos. Unë personalidht, si një kongresmen i ri në atë kohë, kam paraqitur argumenta në mesin e viteve 1980 se që nga viti 1981 deri në vitin 1989 janë përndjekur nga policia e kontrolluar nga serbët rreth 600 mijë shqiptarë. Kjo ishte përpara se Millosheviçi të merrte pushtetin. Pas marrjes së pushtetit nga Millosheviçi situata u keqësua edhe më shumë. Ajo që ne kuptuam ishte se Serbia nuk synonte ta trajtonte shumicën shqiptare si qytetarë të barabartë dhe ky ishte shkaku i fillimit të problemit. Ashtu siç rrodhën ngjarjet që nga mesi i viteve 80-të e deri nga fundi i viteve 90-të ne e pamë fare qartë se nuk kishte shpresë për pajtim midis serbëve dhe shqiptarëve, jo sepse shqiptarët nuk donin, por nuk ishte dëshira e serbëve për t’i trajtuar shqiptarët si qytetarë të barabartë dhe tani shqiptarët po veprojnë si ne 230 vjet të shkuara, kur shpallën pavarësinë nga Mbreti Xhorxh i Katërt i Anglisë dhe më pas u njohëm si shtet.

Zëri i Amerikës: Pavarësia shpallet, cili është hapi tjetër, si do të mbijetojë ky shtet i ri i sapokrijuar në Evropë, veçanërisht në dy tri vitet e para?

Joseph Dioguardi: Shumë punë. Dhe komuniteti shqiptar duhet të punojë akoma më shumë në të ardhmen, sepse pavarësia ka nevojë për zhvillimin ekonomik, për punësimin e rreth 500 mijë të rinjve. Kur je shtet duhet t’i shërbesh njerëzve të tu për nevojat jetësore, të përditshme. Tani fjala është se si do të sigurohen investimet. Së pari, tani ne mund t’i drejtohemi Bankës Botërore, të cilën nuk mund ta bënim më parë, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ky është vetëm fillimi i ndërtimit të një infrastrukture të re, si sistemi i ri telefonik, energjitik e kështu me radhë. Pastaj do të shihet afrimi i investitorëve privatë si shqiptaro-amerikanë, hebrej-amerikanë, të cilët vlerësojnë se shqiptarët mbrojtën secilin prej tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shohin se në Shqipëri dhe Kosovë ka shumë burime natyrore për t’u shfrytëzuar, të cilët, meqë ra fjala, përbëjnë të njejtin vend sepase kufijtë janë artificialë. Kështu do të na duhet të punojmë shumë dhe kemi filluar.

Zëri i Amerikës: Për sa i përket Serbisë. Udhëhqësit e saj e kanë bërë të qartë qendrimin e tyre kategorik kundër pavarësisë së Kosovës. Si do të integrohet Serbia në dinamikën ballkanike dhe më tej, me krijimin e shtetit e ri të Kosovës si një lojtar me zërin e tij në skenën e Ballkanit?

Joseph Dioguardi: Më vjen shumë keq për popullin serb. Ai nuk meriton të ketë qeveritë që ka pasur e që kanë luajtur me ngulm kartën e ultranacionalizmit. Ajo që ata duhet të kuptojnë është se bota është duke shkuar drejt integrimit, veçanërisht Evropa është duke shkuar drejt bashkimit për shkak të problemit ekonomik që përballemi. Mendimi im është se serbët duhet të kuptojnë se ata duhet të bëhen pjesë e rëndësishme e Evropës dhe ata mund të jenë të tillë, dhe jo të dëgjojnë Rusinë e cila po e përdor tani Serbinë për interesat e saj gjeopolitike. Serbia duhet të konsolidohet si demokraci dhe serbët duhet të shqetësohen për të ardhmen tyre, e cila duhet të jetë si një shtet demokratik i mbështetur parime ekonomike jo komuniste dhe të integrohet në Evropë. Kjo bëhet duke filluar nga shkalla e parë që është t’u njohësh shqiptarëve atë që meritojnë, pavarësinë.

Zëri i Amerikës: A do të ishte e drejtë të parashikohet se zhvillimet pas pavarësisë në Kososë do të provojnë se mbështetësit e pavarësisë kanë patur të drejtë dhe skeptikët do të shikojnë një tjetër tabllo nga ajo të cilës i janë trembur?

Joseph DioGuardi: Pa dyshim, sepse ajo që po ndodh është se ne po përmbushim një nga principet më të rëndësishme të ligjit ndërkombëtar. Quhet vetëvendosje. Kur ke një koncentrim njerëzish, si në Kosovë ku rreth 2 milionë shiptarë vendosin se qeveria nuk i përfaqëson ata, është shembulli më i mirë i zbatimit të ligjit që thotë se kur një grup njerëzish janë të shtypur, kanë të drejtë ashtu si 13 kolonitë e Amerikës, të mos pranojnë tiranin, që për Kosovën ka qenë regjimi komunist serb që nuk donte të kthehej në demokraci dhe më pas, Millosheviçi që kishte si qëllim krijimin e Serbisë së madhe pas shpinës së popullit shiptar. Mendimi im është se ajo që po ndodh është e drejtë, duhet të respektohet dhe Serbia do të ketë përfitimet e veta nga kjo situatë. Një gjë mund të them për shqiptarët. Ata punojnë shumë. Emigruan pa asnjë gjë dhe shiko çfarë bënë në Amerikë dhe Evropë. Të njëjtën gjë ata do ta bëjnë në Ballkan. Mendoj se motori ekonomik i Ballkanit do të jenë 7 milion shqiptarët, 3.5 milion në Shqipëri dhe 3.5 milion jashtë kufinjve duke përfshirë 2 milion në Kosovë. Ata do të punojnë së bashku si një bllok ekonomik dhe për 20 vitet e ardhshme do të provojnë se kufijtë janë të parëndësishëm. E rëndësishme është të krijosh vende pune dhe mirëqënie. Edhe Serbia do të përfitojë nga kjo. //rd//

XS
SM
MD
LG