Një trup i djegur u gjet brenda ambasadës amerikane në Beograd pasi demonstruesit serbë i vunë zjarrin godinës duke protestuar ndaj mbështetjes amerikane për pavarësinë e Kosovës.
Një zëdhënës i ambasadës thotë se duket që trupi të jetë i një protestuesi që u përfshi nga flakët. Zyrtarët e ambasadës thonë se gjithë personeli është jashtë rrezikut.
Demonstruesit u shkëputën nga një protestë paqësore në Beograd dhe dhe sulmuan ambasadën, duke i vënë zjarrin pjesës së jashtme të godinës dhe njërës nga zyrat.
Departamenti amerikan i shtetit e quajti sulmin ndaj ambasadës të patolerueshëm.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se masat e sigurisë të marra nga serbët ishin të pamjaftueshme. Ai tha se nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns telefonoi Kryeministrin Vojislav Kostunica dhe Ministrin e Jashtëm Vuk Jeremic për t’i paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do ta konsiderojnë qeverinë serbe përgjegjëse për çdo incident tjetër.
Zoti Jeremic i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ekstremistët ishin shkaktarë të dhunës dhe e quajti atë të papranueshme. Ai tha se ngjarja nuk reflektonte qëndrimin e shumicës së serbëve. //kk//