Lidhje

Dë Kermabon: EULEX do të fillojë të vendoset në Kosovë javën tjetër


Një zyrtar i Bashkimit Europian thotë se misioni i BE-së në Kosovë do të fillojë të vendoset atje javën tjetër dhe do të funksionojë në të gjithë territorin, duke përfshirë veriun e tensionuar.

Zyrtari i misionit, gjenerali francez, Iv dë Kermabon, tha dje në Bruksel se misioni policor dhe i drejtësisë i përbërë nga 1,800 vetë do të jetë dislokuar plotësisht brenda 4 muajsh. Ai tha gjithashtu se përmasat dhe shtrirja e misionit mund të ndryshojnë nëse do të jetë e nevojshme.

Serbët e kanë quajtur misionin e Bashkimit Europian një forcë të paligjshme dhe kanë protestuar kundër ardhjes së tij në Kosovë. Javën e kaluar, shefi i misionit, Pieter Feith vendosi të tërheqë përkohësisht gjithë personelin e tij nga Mitrovica e Kosovës veriore pas protestave të dhunshme të pakicës serbe atje.

Dje, kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë të mbrojë rajonet e Kosovës të banuara nga ata që ai i quajti “qytetarë besnikë serbë”. Kjo deklaratë ka ngjallur shqetësime se Kosova po shkon drejt ndarjes. Ndërsa në Prishtinë, Kryeministri Hashim Thaçi paralajmëroi Serbinë që të mos bëjë përpjekje për të kontrolluar pjesë të territorit të Kosovës.

Serbët e kanë quajtur shkëputjen e Kosovës nga Serbia të paligjshme. Në Beograd, këshilltari i kryeministrit Koshtunica, Branislav Ristivojeviç u tha dje gazetarëve se Beogradi do të ngrejë padi në gjykatat ndërkombëtare kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që njohin Kosovën.

Ministri serb i Ekonomisë, Mllagjan Dinkiç tha dje se vendi i tij nuk ka hequr dorë nga planet për të krijuar marrëdhënie më të ngushta me Bashkimin Europian. Ai tha gjithashtu se Beogradi duhet të pushojë së paguari borxhin e jashtëm të Kosovës dhe t’i përdorë këto para për të mbështetur pakicën serbe. Kjo, theksoi ai, nuk do të thotë se Beogradi po heq dorë nga ajo që Serbia e konsideron si territorin e saj. //ii

XS
SM
MD
LG