Lidhje

Uizner: Serbia nuk duhet të fajësojë Amerikën për humbjen e Kosovës


Përfaqësuesi amerikan në negociatat për statusin e Kosovës thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në Kosovë, si pjesë e NATO-s dhe duke kontribuar financiarisht. Ambasadori Frank Wisner tha dje në një intervistë për Zërin e Amerikës, se Serbia nuk duhet të fajësojë Amerikën për humbjen e Kosovës, por t’i bëjë ballë historisë së saj.

Zëri i Amerikës: Ambasador Wisner, kanë kaluar tashmë 10 ditë që nga shpallja e pavarësisë dhe njohja e saj nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian. A ishte periudha menjëherë pas pavarësisë së Kosovës ashtu siç e parashikonit ju se do të ishte?

Frank Wisner: Në përgjithësi, po! Këto gjëra nuk mund të parashikohen plotësisht. Sigurisht që e prisja shpalljen e pavarësisë. E parashikoja angazhimin e autoriteteve të reja të Kosovës për një rrugë drejt paqes dhe respektit për planin Ahtisaari nga ana e shtetit të ri, bashkëpunimin e plotë me Perëndimin. E prisja që fuqitë evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të ishin të parat që do ta njihin pavarësinë. Po ashtu e prisja kundërshtimin e fortë të Serbisë dhe të Rusisë në mbështetje të saj. Në përgjithësi, brenda arsyes ka shkuar mirë deri tani. Duhet të kemi parasysh se ka rrugë të gjatë përpara derisa shteti i ri të zërë vendin e vet në Evropë, por fillimi është i mbarë.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara luajtën një rol thelbësor për pavarësinë e Kosovës. Cili do të jetë angazhimi i Uashingtonit tani e tutje?

Frank Wisner: Shtetet e Bashkuara luajtën një rol të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, duke filluar që nga ngjarjet tragjike të viteve 1990. Ne, si vend, ndjemë dhimbje, ndërgjegjia jonë u prek. Ne gjithashtu e kuptuam se bëhej fjalë për interesat e sigurisë sonë kombëtare, përballë spastrimit masiv etnik dhe qëndrimit agresiv të qeverisë së Millosheviçit. Ne ndërhymë në atë kohë me aleatët tanë të NATO-s në Evropë dhe që atëherë ne kemi qëndruar në krah të Kosovës, nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, 8-9 vjetët e fundit. Tani Shtetet e Bashkura së bashku me Evropën, në një front i përbashkët, punuan dhe negociuan së bashku me kujdes, në krah të Kosovës deri tek pavarësia. Unë do ta quaja një provë të vërtetë për rolin dhe diplomacinë perëndimore. Çfarëdo të ndodhë më pas, ka një rrugë të gjatë përpara, por unë jam optimist për shtetin e ri dhe të ardhmen e tij. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm, ne do të kemi forca në kuadrin e NATO-s përsa kohë të jetë e nevojshme për situatën e sigurisë, ne do të japim kontributin tonë financiar, në krah të Evropës, për zhvillimin e Kosovës. Ne do të luajmë gjithashtu rol në institucionet mbikqyrëse që do të garantojnë fillimin e punës së shtetit të Kosovës. Kështu që Shtetet e Bashkuara nuk po tërhiqen, por thellë-thellë ne e kuptojmë që e ardhmja e Kosovës është në Evropë, ajo është pjesë e Evropës dhe pjesë e së ardhmes së stabilitetit dhe paqes së Evropës.

Zëri i Amerikës: Zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, madje nënsekretari Burns ishte i fundmit i zyrtarëve që e konfirmoi një gjë të tillë. Por de facto Mitrovica është e ndarë dhe veriu i Kosovës është nën kontrollin e Beogradit. Pas aq vitesh dështime për ta bashkuar Mitrovicën, çfarë i bën zyrtarët amerikanë të mendojnë se tani do të jenë të suksesshëm për të mos ta lënë atë të ndahet?

Frank Wisner: Besoj se kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe shumë e vështirë. Megjithatë, ndarja nuk është alternativë. Që nga koha kur Grupi i Kontaktit hartoi parimet mbi të cilat do të zhvillohej procesi i zgjidhjes së negociuar të çështjes së Kosovës, ne të gjithë ramë dakord: Rusia, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, se nuk do të kishte ndarje të Kosovës. Nga ana tjetër, është po aq e vërtetë, se pjesa në Veri të lumit të Ibrit është e mbizotëruar nga popullsia serbe dhe në terren ekzistojnë institucionet serbe. Por juridikisht, ligjërisht, pjesa në Veri të Ibrit, në Jug të Ibrit, është e gjitha Kosovë. Të shpresojmë që me kalimin e kohës të gjenden interesa të përbashkëta, ndërsa ulen gjakrat dhe bien pasionet, bashkëpunimi, interesi ekonomik do t’i bashkojë njerëzit. Derisa të vijë ajo kohë, komuniteti ndërkombëtar do të jetë i pranishëm në territorin në Veri të lumit të Ibrit, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO-ja do të jenë të pranishëm për të mos lënë dyshim se si mbi Ibër, ashtu edhe poshtë tij, është e gjitha Kosovë.

Zëri i Amerikës: Duke u nisur nga zhvillimet e fundit, përfshirë dhe sulmet ndaj ambasadave të huaja dhe asaj amerikane mes tyre, cila mendoni se do të jetë e ardhmja e Serbisë?

Frank Wisner: Duhet ta pranojmë se ka qenë një periudhë shumë e vështirë për Serbinë. Asnjëherë nuk është e thjeshtë që të shohësh pas 15-20 vjetësh shpërbërjen e vendit. Por nga ana tjetër, dhuna është e papranueshme. Është revoltuese. Që qeveria serbe nuk mori masat e duhura për të kontrolluar dhunën që solli si rezultat shkatërrimin e territoreve të misioneve të huaja diplomatike në Beograd, është një turp për Serbinë dhe për emrin e saj. Evropianët duhet të punojnë për të ardhmen e Serbisë. Ne urojmë më të mirën për Serbinë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë mike të Serbisë gjatë gjithë shekullit të kaluar, gjatë dy luftrave botërore. Nuk ka armiqësi të natyrshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Megjithatë nga ana tjetër nuk ka arsye që Serbia të fajësojë Shtetet e Bashkuara për fatin që i caktoi historia. Në fund të fundit ishte qeveria e Millosheviçit që solli këtë fund të tmerrshëm për Federatën Jugosllave, armiqësinë me Kosovën, gjakderdhjen dhe brutalitetin dhe të gjitha vendet duhet të përballen me historinë e tyre. Mizori aq të tmerrshme sa ato të viteve 1990, nuk mund të mos kishin pasoja. Serbia duhet ta kuptojë këtë.

Zëri i Amerikës: Ka mendime se Perëndimi e keqinterpretoi qëndrimin e Moskës. Në fakt Rusia e kundërshtoi pavarësinë e Kosovës që në fillim, por perëndimi mendoi se do të ndryshonte qëndrim në fund dhe nuk do ta pengonte pavarësinë e Kosovës. Ku ishte gabimi i arsyetimit në këtë rast?

Frank Wisner: Të them të drejtën nuk më duket se pati ndonjë keqinterpretim. Për mua vazhdon të mbetet mister se pse Rusia vendosi të bënte qëndresë për Kosovën. Për mua nuk ka shpjegim logjik. Nuk rrezikohet ndonjë interes i rëndësishëm rus, ndërkohë që nga ana tjetër Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kishin interesa që rrezikoheshin. Rusia ishte pjesë e negociatave që në fillim, Rusia ishte pjesë e vendimit që Millosheviçi të tërhiqej. Për mua nuk ka pikë shpjegimi as sot se pse Rusia vendosi pranverën e vitit të kaluar që të këmbëngulte në qëndrimin e saj. Duhet të pyesni Moskën se çfarë mendoi kur mori një vendim për një zonë që gjeografikisht është e shkëputur, që nuk prek sigurinë kombëtare të Rusisë, për mua nuk ka kuptim.

Zëri i Amerikës: Pra ju nuk mendoni se ka asnjë lloj interesi, qoftë edhe ekonomik nga ana e Rusisë për mbështetjen e Serbisë kundër Kosovës?

Frank Wisner: Të gjithë mund të kenë ndonjë interes aty-këtu. Por pyetja që duhet bërë është se me çfarë çmimi, Rusia tani po këmbëngul pikërisht lidhur me Kosovën, bllokoi rrugën për zgjidhjen e një çështjeje që ka rëndësi për Shtetet e Bashkuara dhe për Evropën, duke shkaktuar dyshime dhe kundërshtime për vete. Dhe çfarë fitoi? Kosova e fitoi pavarësinë gjithsesi dhe e ardhmja do të zhvillohet tani pa pjesëmarrjen e Rusisë. Unë e konsideroj këtë një gabim serioz nga ana e Rusisë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se çështja e Kosovës duhet të ishte zgjidhur shumë kohë më parë, mbase edhe në një kohë më të qetë kur tensionet ndërkombëtare nuk janë të tilla siç janë tani? Frank Wisner: 0:10:55: E kam menduar shpesh një gjë të tillë, që koha e duhur për statusin përfundimtar të Kosovës, do të kishte qenë menjëherë pas vitit 1999. Megjithatë gjatë periudhës që unë kam qenë i angazhuar me këtë çështje dy vitet e fundit, u bë e qartë për mua se duhej arritur një konsensus, që nuk ekzistonte në vitin 1999. Edhe para 10 ditësh, kur Kosova shpalli pavarësinë, u realizua me vështirësi. Evropa, opinioni ndërkombëtar lëvizin ngadalë. Opinioni i përbashkët krijohet pa u nxituar, njerëzit duhet të binden. Bota kishte nevojë për kohë që të bindej. Sigurisht që duhet të kishte ndodhur më parë. Përfundimi ishte i pashmangshëm, po të hedhësh një vështrim pas, por njëkohësisht fakti që u desh kohë, vlejti jo vetëm për të krijuar konsensus ndërkombëtar, por edhe për të ndërtuar institucionet e Kosovës. Pra nuk ishte krejtësisht kohë e çuar dëm. //rd//

XS
SM
MD
LG