Ministri i jashtëm i Serbisë tha mbrëmë se përgjegjësitë e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk duhet t’i kalohen asnjë organizate tjetër, si Bashkimi Europian. Ai tha në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se Beogradi nuk do ta pranojë deklaratën e njëanëshme të pavarësisë së Kosovës dhe u bëri thirrje vendeve që e kanë njohur Prishtinën ta rishikojnë vendimin e tyre.
Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç i tha Këshillit të Sigurimit se rezoluta 1244 e cila në vitin 1999 e vuri Kosovën nën administratën e OKB-së, duhet të respektohet. Ai këmbënguli gjithashtu që të mos i bëhet asnjë ndryshim mandatit të misionit të OKB-së në Kosovë, i njohur me emrin UNMIK. "Rezoluta 1244 duhet të respektohet plotësisht. Kjo është rruga e vetme për të parandaluar një keqësim të mëtejshëm të gjendjes në terren. Nuk duhet të ketë asnjë cënim të mandatit të UNMIK-ut, i cili është përcaktuar qartë nga Këshilli i Sigurimit. Prandaj ne kërkojmë me forcë që të mos ketë kalim të mëtejshëm kompetencash nga UNMIK-u për te ndonjë organ tjetër."
Serbia është e shqetësuar rreth vendimit të Bashkimit Europian muajin e kaluar i cili autorizon dërgimin në Kosovë të një personeli prej 2000 vetësh për të trajnuar zyrtarët vendas të policisë, drejtësisë dhe doganave, duke thënë se veprimet e tyre do të tejkalonin dispozitat e rezolutës 12-44. Deri tani, vetëm 20 pjestarë të kësaj force janë dërguar në Kosovë.
Zoti Jeremiç u bëri gjithashtu thirrje vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta rishikojnë vendimin e tyre. Por ambasadori amerikan dhe ai britanik në OKB thanë se qeveritë e tyre nuk do të ndryshojnë qendrim.
Aleatja e Serbisë, Rusia, tha se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës si një realitet të ri. Ambasadori rus Vitali Çurkin u shpreh se gjendja në terren nuk mund të njihet si një realitet i ligjshëm nëse nuk do të ketë një marrëveshje mes serbëve dhe kosovarëve dhe derisa të mos ketë një vendim të ri nga Këshilli i Sigurimit për diçka që do të zëvendësonte rezolutën 1244. //af