Lidhje

Bashkia e Tiranës shton përpjekjet për të mbrojtur territorin


Inspektoriati i bashkisë së Tiranës prishi të mërkurën të tjera ndërtime pa leje pranë parkut kombëtar në përpjekje për të frenuar abuzimet me territorin. Automjetet e pakta të bashkisë rrëzuan objekte që kanë zënë hapësirat e blerta të kryeqytetit, të pakësuara mjaft gjatë tranzicionit.

Nënkryetari i bashkisë sëTiranës, Eduard Shalsi, thotë se parku do të mbrohet me cdo mënyrë.

“Në territorin e këtij parku nuk do të qëndrojë në këmbë asnjë godinë e paligjshme. Ne gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje kryeministrit që të mos lejojë legalizime të turpshme në kurriz të banorëve të kryeqytetit, të cilët meritojnë dhe duhet të kenë një park europian” - tha ai, ndërsa ndiqte punën e traktorëve që shembnin ndërtesat e paligjshme.

Por Tirana probleme në të gjithë territorin; periferitë dhe qendra janë mbushur me ndërtime të parregullta. Kryetari i shoqatës kulturore “Tirana”, Arben Tafaj, kryetar i minibashkisë pranë qendrës së qytetit, thotë se gjelbërimi dhe betonimi me pallate
shumëkatëshe janë në raporte të papranueshme, ndaj edhe duhen paracaktuar me ligje nga qeveria dhe bashkia ekuilibri midis tyre.

“Tirana në këtë ndryshim të ri të strukturës sociale të saj domosdoshmërisht do të shkojë drejt ndërtimeve, por ajo që duhet parë me kujdes është se hapësirat e lira gjithnjë e më shumë po dëmtohen , duke shkuar në raporte të zhbalancuara. Duke shprehur këtu edhe një shqetësim të mbarë banorëve, kërkoj që gjithnjë e më shumë të kthejmë sytë drejt hapësirave publike, të pasrta dhe të gjelbëruara, ku edhe të shlodhen këta njerëz” - tha ai.

Të njëjtin shqetësim me bashkiakët për pakësimin e hapësirave të blerta shprehin edhe përfaqësues të firmave të ndërtimit. Shkëlqim Bumci, drejtor ekzekutiv i shoqatës së ndërtuesve, thotë se Tirana nuk ka ende një plan rregullues për ndërtimet.

“Mua më vjen shumë keq që gjatë periudhës së tranzicionit të gjitha qeveritë dhe të gjithë bashkiakët nuk e mbajtën premtimin, që është edhe puna e tyre bazë; të hartonin planin rregullues të Tiranës. Edhe projekti i një grupi arkitektësh amerikanë që u hartua para disa vjetësh u la në harresë nëpër sirtare” - tha ai.

Zoti Bumci theksoi se qeveria nuk ka nxjerrë rregulla të sakta për të disiplinuar vrullin e ndërtimeve mbi hapësirat e lira, dhe mbi të gjitha mungon një ligj mbi menaxhimin e tokës.

“Nga ky kaos urbanistik fituan vetëm disa elementë, por qyteti në tërësi humbi, vendi në tërësi humbi. Tani do të duhet një punë shumë e madhe për ta kthyer atë në parametra normalë, në parametra europainë” - tha ai.

Presidenti Bamir Topi organizoi pak kohë më parë një takim midis qeverisë demokrate dhe bashkisë socialiste për vështirësitë urbanistike të Tiranës dhe për të forcuar bashkëpunimin mes tyre, por ende nuk shihen rezultate të dukshme në administrimin e territorit të kryeqytetit, ndërsa kullat shumëkatëshe po sulmojnë qiellin e metropolit shqiptar, të shtrira mbi cdo fushë bari që gjejnë të lirë. //iç//

XS
SM
MD
LG