Lidhje

Presidenti Bush optimist për ekonominë


Presidenti Bush tha se ekonomia amerikane po kalon në një periudhë të vështirë por se ajo është mjaft e fuqishme dhe do ta marrë veten. Presidenti i bëri komentet në një fjalim që mbajti dje në Klubin Ekonomik në Nju Jork.

Presidenti Bush tha se megjithë sfidat ekonomike që po kalon vendi ky është moment interesant. Papunësia po rritet, çmimi i naftës po ngrihet ndërsa tregu i shtëpive dhe i kredive vazhdon të bjerë por a është ky fundi? ”Çdo herë, ekonomia amerikane është rikthyer dhe është bërë edhe më e fortë se ç’kishte qenë para se të fillonte rënia. Pra unë vij në këtë takim si një njeri optimist. Unë e kam parë se çfarë ndodh kur Amerika përballet me vështirësi. Unë besoj se ne kemi një ekonomi të fuqishme dhe besoj se vendosmëria e popullit amerikan është ajo që na ndihmon t’i kalojmë këto vështirësi.”

Presidenti Bush e pranon se rritja ekonomike është ngadalësuar por tha se administrata e tij ka marrë masa për t’i tejkaluar sfidat. Ai theksoi planin e tij për stimulimin e ekonomisë i cili u miratua në fillim të këtij viti dhe sipas të cilit rreth 130 milionë amerikanëve do të marrin para në dorë nga buxheti. Ai gjithashtu vlerësoi përpjekjet e Bankës Qëndrore për të mbështetur rritjen e ekonomisë. ”Unë e respektoj kreun e Bankës Qëndrore zotin Ben Bernanke. Mendoj se ai po bën një punë të mirë në këto kushte të vështira.”

Banka Qëndrore ka ulur interesin në masën 2,25 përqind që nga shtatori. Këtë javë kjo bankë deklaroi se do t’u jepte bankave dhe institucioneve financiare rreth 200 miliardë dollarë kredi, në përpjekje për të lehtësuar krizën e kredive.

Dje Kreu i Bankës Qëndrore premtoi se do të bëjë më shumë për të ndihmuar njerëzit që nuk paguajnë dot këstet e kredive të shtëpive. ”Banka Qëndrore është e vendosur plotësisht që të përdorë gjithë autoritetin, ekspertizën dhe burimet e veta për të ndihmuar që t’i tejkalojmë këto vështirësi.” Rënia e tregut të shtëpive dhe kriza e kredive ka çuar në një numër rekord falimentimesh të njerëzve që nuk paguajnë dot kreditë dhe shumë banka kanë humbur miliarda dollarë. Një ndër to është edhe Bear Stearns, banka e pestë më e madhe në Shtetet e Bashkuara e cila shënoi një rënie të madhe dje në bursën e Wall Streetit. //rd//

XS
SM
MD
LG