Lidhje

Shqipëri: Jep dorëheqjen Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu


Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dha dorëheqjen të hënën nga ky post, duke deklaruar se do të japë cdo mbështetje për hetimin e aksidentit në fshatin Gërdec pranë Tiranës, ku nga shpërthimi i materialeve ushtarake humbën jetën të paktën 14 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Në një deklaratë për shtypin në mesditë, ai tha se ligjet në ministri janë zbatuar me përpikmëri, megjithatë do të mbështesë hetimet për zbardhjen e aksidentit. “Dorëheqja ime është një reflektim politik dhe moral i përgjegjshëm, edhe pse është marrë në kushtet e një mungese të plotë përgjegjësie ligjore dhe institucionale si ministër” - tha zoti Mediu.

"Me këtë ndjenjë përgjegjësie dhe në respekt të detyrimeve të mia institucionale dhe morale, deklaroj se do të mbështes fort hetimet e filluara nga organet kompetente për zbardhjen e aksidentit tragjik”.

Zoti Mediu theksoi se veprimtaria e ministrisë së mbrojtjes ka qenë dhe është transparente edhe ndaj NATO-s, për shkak të bashkëpunimit për antarësimin e Shqipërisë. Ai tha se deklarata për bashkëpunim me drejtësinë nënkuptonte edhe gadishmërinë për të lëshuar imunitetin parlamentar, ndërsa hodhi poshtë mundësinë e prapsimit të kësaj dorëheqje nga kryeministri Sali Berisha.

Nga ana tjetër, opozita socialiste kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha si përgjegjës për aksidentin e repartit ushtarak. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pohuan se dorëheqja e zotit Berisha duhet të ishte e menjëhershme, se qeveria ka përgjegjësi të dukshme për aksidentin, dhe në këtë mënyrë i hapet rruga prokurorisë që të zbatojë ligjin dhe të ndricojë ngjarjen.

Ndalohen disa persona lidhur me shpërthimin në Gërdec

Në Shqiperi, Prokuroria ndaloi të hënën pasdite administratorin e firmës shqiptare, e cila kryente operacionet e ç'aktivizimit te çarmatimit të eksplozivëve në Gërdec, Mihal Delijorgji; po ashtu është ndaluar edhe drejtori i ndërmarrjes shtetërore "Meiko", Ylli Pinari, i cili kishte nënshkruar për llogari të Ministrisë se Mbrojtjes kontratat me kompaninë amerikane. Ndërmarrja "Meiko" kryen import-eksportin e armeve për llogari të shtetit shqiptar. Bashkë me ata jane ndaluar edhe dy persona të tjerë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG