Lidhje

Parlamenti rus do të diskutojë mbi Abkazinë dhe Osetinë Jugore


Parlamenti rus do të debatojë sot një ligj ku i bëhet thirrje Kremlinit që të shqyrtojë mundësinë e njohjes së pavarësisë së republikave separatiste gjeorgjiane, nëse Gjeorgjia futet në NATO.

Në projekt-ligj thuhet se do të jetë e nevojshme që të mbrohen banorët e Abkazisë dhe Osetisë Jugore, për të cilat Rusia thotë se me shumicë dërrmuese janë kundër anëtarësimit në NATO.

Në dokument sugjerohet mundësia e hapjes së misioneve të qeverisë ruse në këto rajone.

Megjithëse atje thuhet se Rusia e njeh tërësinë territoriale të Gjeorgjisë, vazhdohet më tej duke thënë se Abkazia, Osetia Jugore dhe Trans-Dniester, një rajon separatist pro-rus në Moldavi, që të treja kanë atributet e demokracive të pavarura.

Në projekt-ligj thuhet se tre rajonet kanë një bazë shumë më të gjerë për njohje ndërkombëtare sesa shteti i ri i Kosovës.

Gjeorgjia dhe Ukraina shpresojnë të marrin ftesë për anëtarësim në NATO në takimin e nivelit të lartë në Bukuresht muajin e ardhshëm. Rusia e ka bërë të qartë se nuk do që NATO-ja të zgjerohet deri në kufijtë e saj.//kk//

XS
SM
MD
LG