Lidhje

SHBA: Ekspertët analizojnë rënien dramatike të ekonomisë


Sipas anketave, pjesa dërrmuese e amerikanëve besojnë se ekonomia në Shtetet e Bashkuara është në krizë, megjithëse statistikat e qeverisë nuk sugjerojnë një periudhë rënieje të tillë që të plotësojë teknikisht këtë përkufizim. Ajo që është e sigurt, është se ekonomia amerikane është ngadalësuar dramatikisht dhe se tregu i shitblerjes së shtëpive dhe ai i kredive, janë në kaos, ndërsa dollari ka rënë jashtë mase dhe presioni i inflacionit po rritet. Por nuk ka një konsensus mes ekonomistëve më të njohur, për nivelin e rënies së ekonomisë.

Muajt e fundit, lajmet e këqia për ekonominë nuk kanë reshtur dhe java që kaloi nuk përbënte përjashtim. Kriza e vazhdueshme e kredive të shtëpive e çoi një nga bankat më të mëdha amerikane të investimeve në prag të shkrirjes dhe vetëm blerja nga një institucion tjetër i madh financiar, me ndërhyrjen e qeverisë e shmangu një gjë të tillë.

Prodhimi industrial në Shtetet e Bashkuara vazhdon të bjerë, ndërsa çmimet e naftës vazhduan të ishin mbi 100 dollarë një fuçi. Banka Qendrore e ka ulur dy herë përqindjen e interesit për të lehtësuar kreditë dhe për t’i dhënë shtysë rritjes ekonomike, por edhe ato masa duket se përforcojnë idenë se ekonomia amerikane po dobësohet.

Lawrence Summers ka qenë Sekretar i Thesarit gjatë administratës së Presidentit Clinton.

“Mendoj se ka shumë mundësi që ekonomia të ketë hyrë në fazën e bilancit negativ. Shpresoj që situata të vendoset shpejt nën kotroll dhe t’i kthehemi rritjes ekonomike. Por me ato që kanë ndodhur një tregjet financiare, nuk ka siguri që kjo do të ndodhë”.

Zoti Summers i bëri këto komente dje në një program të televizionit Fox. Në një njëjtin emision foli edhe Glenn Hubbard, ish-kreu i Këshillit Ekonomik të Presidentit Bush. Zoti Hubbard thotë se gjendja aktualisht është e keqe, por ai beson se ngadalësimi ekonomik i Amerikës do të jetë i shkurtër.

“Është e qartë se Prodhimi i Brendshëm Bruto nuk është rritur me të njëjtat ritme. Nga mbi tre për qind, këtë vit rritja ka qenë ndoshta një deri në 1.5 për qind. Tregu i punës ka rënë. Kriza e kredive të shtëpive, është një problem i madh për ekonominë. Megjithatë, unë parashikoj që në gjysmën e dytë të vitit të ketë përmirësim, falë kryesisht politikave monetare dhe atyre fiskale”.

Në fillim të këtij viti, qeveria paraqiti një paketë stimujsh ekonomikë, në bazë të së cilës shumicës së familjeve me të ardhura të mesme dhe të ulëta do t’u kthehet një pjesë e taksave, si edhe do të lehtësohen taksat për të nxitur investimet në biznes. Administrata e Presidentit Bush ka inkurajuar gjithashtu bankat që japin kredi shtëpish që të rinegociojnë kushtet e huave, ndërkohë që shumë amerikanë rrezikojnë të humbin shtëpitë nga pamundësia për të paguar këstet.

Disa njerëz me peshë në Washington po bëjnë thirrje për masa më agresive për forcimin e kontrollit të qeverisë dhe rregullave të tregjeve të kredive jo vetëm për të zbutur goditjen e krizës aktuale, por edhe për të ndalur dhënien e kredive pa rregulla të forta, gjë që konsiderohet shkak për situatën kaotike në tregun e shit-blerjes së shtëpive.

Senatori demokrat Charles Schumer i New Yorkut thotë se mosveprimi i Presidentit Bush e ka bërë edhe më të keqe situatën.

“Nëse administrata do të kishte marrë masa parandaluese, nuk do të kishin arritur deri këtu”, tha senatori Schumer në një intervistë për televizionin ABC.

Por senatori republikan John Kyl i Arizonës thotë se demokratët nuk janë pa përgjegjësi kur bëhet fjalë për tregun e shtëpive dhe kredive.

“Sigurisht që më shumë sesa presidenti Bush, ishin demokratët në Kongres që i shtynin institucionet huadhënëse të jepnin sa më shumë kredi, edhe për blerësit që nuk kualifikoheshin”.

Ditët e ardhshme, do të publikohen të dhëna të reja për shitjet e shtëpive, shpenzimet e konsumatorëve dhe Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ky i fundit do të ishte një tregues i rëndësishëm për shkallën e rënies së ekonomisë amerikane. //kk//

XS
SM
MD
LG