Lidhje

Sekretarja Rajs: Kina të ndryshojë politikën e saj ndaj Tibetit


Sekretarja amerikane e shtetit Kondolisa Rajs i bëri thirrje Kinës të ndryshojë politikën e saj ndaj Tibetit dhe të ulet në tryezën e bisedimeve me udhëheqësin shpirtëror tibetian në mërgim, Dalai Lamën.

Duke folur sot me gazetarët në Uashington, Sekretarja Rajs tha se e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur problemet në Tibet është përmes bisedimeve me Dalai Lamën. Ajo e cilësoi përdorimin e dhunës si të papranueshëm.

Qeveria e Tibetit e cila vepron në mërgim thotë se përleshjet e kohëve të fundit mes protestuesve dhe autoriteteve kineze në Tibet dhe rreth tij kanë shkaktuar vdekjen e 130 vetave.

Qeveria kineze thotë se numri i të vdekurve nga protestat ishte 19. Ministri i Jashtëm indian Pranab Mukherjee, i cili ndodhet për vizitë në Uashington, mbështeti komentet e zonjës Rajs se angazhimi i Dalai Lamës mund të jetë i vlefshëm. Por ai paralajmëroi tibetianët që kanë mërguar në Indi të mos angazhohen në veprimtari politike që mund të dëmtojnë marrëdhëniet e Indisë me Kinën.

Ndërkohë presidenti francez Nikola Sarkozi shprehu sot vullentin për t’u angazhuar si ndërmjetës mes përfaqësuesve të Kinës dhe Dalai Lamës. //bsa//

XS
SM
MD
LG