Shkencëtarët që kanë punuar prej kohësh për të gjetur një vaksinë kundër virusit HIV dhe SIDA do të takohen në Institutin Kombëtar Amerikan të Shëndetit për të përcaktuar rrugën që do të ndjekin në studimet e ardhshme. Pak muaj më parë, dy prova të vaksinës në njerëz u ndaluan kur u vu re se ilaçi ishte i paefektshëm, dhe në disa raste e rriste rrezikun e infektimit nga kjo sëmundje.
Statistikat janë këto: 12 mijë raste të reja diagnostikohen me virusin HIV çdo ditë. Më shumë se 25 milionë njerëz kanë vdekur nga SIDA. Por, ndërkohë, rreth 40 mijë të tjerë ende jetojnë me virusin HIV. Shumë shpresa ishin varur tek rezultatet e provave në njerëz të vaksinës kundër virusit HIV.
Pacientë me rrezik të lartë infektimi nga Amerika Veriore dhe Jugore, nga Karaibet dhe Australia ishin zgjedhur për eksperimentin me vaksinën e re në studim e sipër. Me sa dimë ne, asnjë pacient i kësaj videoje nuk ishte pjesë e testimit. Sipas protokollit të zakonshëm, çdo testim në njerëz duhet të mbikqyret nga një komision që ndjek përparimin dhe sigurinë e pacientëve.
Kur bordi i caktuar për të mbikqyrur këto prova filloi t’i shihte të dhënat për herë të parë, ishte e qartë se diçka nuk ishte në rregull. Mjeku Antoni Fauçi është drejtor i departamentit të alergjisë dhe sëmundjeve infektive në Institutin Kombëtar Shëndetit. “Nuk kishte asnjë tregues se vaksina ndihmonte kundër infeksionit, dhe nuk kishte tregues se vaksina arrinte të ulte fuqinë e virusit pas infektimit të një njeriu.”
Bordi vëzhgues ishte kaq i shqetësuar sa rekomandoi që të dy testimet të ndaloheshin. Doktor Fauçi thotë se një nga shqetësimet më serioze ishte se vaksina nuk arriti të mbronte as ata pacientë që dukej se kishin një farë imuniteti ndaj një përbërësi të virusit HIV. Kjo pjesë përbërëse është një adenovirus që gjendet në gripin e zakonshëm. Pacientët që morën vaksinën, kishin rrezik më të lartë infektimi se sa ata që nuk ishin vaksinuar ende. “Kjo ishte e habitshme. Nuk e prisnim.”
Ndërkohë, çfarë mund të bëjnë njerëzit që janë më të rrezikuar nga virusi HIV? Doktor Fauçi thotë se ka shumë ilaçe që ndihmojnë në stabilizimin e infeksionit. Për ata që nuk janë infektuar ende, disa hapa parandalues kanë treguar se janë shumë efikas për një sëmundje që ende mund të parandalohet në një masë të konsiderueshme.
“Nëse tregon kujdes në kontaktet seksuale dhe përdor mjetet parandaluese, nëse merr drogë dhe përdor gjilpëra të dizinfektuara, apo nëse ke marrëdhënie me njerëz që nuk i njeh, duhet kujdes. Nganjëherë, në disa vende, fillimi i mëvonshëm i marrëdhënieve seksuale ndihmon, po ashtu edhe besnikëria ndaj partnerit..... ”
Doktor Fauçi thotë se edhe pse testimet në njerëz janë anuluar, këto prova nxorën informacione të vlefshme që mund të zbatohen kur të rifillohen testimet e tjera. //bsa//