Lidhje

Presidenti Bush pranon ftesën e Presidentit Putin të vizitojë Rusinë


Presidenti Bush pranoi ftesën e Presidentit rus, Vladimir Putin, të vizitojë Rusinë në 6 prill për bisedime rreth mbrojtjes nga rraketat. Takimi i caktuar me nxitin do të zhvillohet në fund të një turneu në Evropë, ku zoti Bush gjithashtu do të shkojë në Ukrahinë, Kroaci dhe në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Bukuresht. Presidenti Bush do të zhvillojë bisedime me Presidentin Putin në qytetin turistik Soki, në Detin e Zi. Mendohet që ky të jetë takimi i tyre i fundit si kryetarë shtetesh.

Ndërkohë që presidenti i ri rus përgatitet të marrë detyrën në muajin maj dhe kur në Amerikë fushata presidenciale është në vazhdim, të dy udhëheqësit duket sikur kërkojnë të marrin disa vendime finale përpara se të largohen nga detyra. Disa probleme, si ai i mbrojtjes nga rraketat, kanë krijuar një tension kaq të madh midis Uashingtonit dhe Moskës.

Gjatë një interviste me gazetarë të huaj, kur bëri të njohur planet për takimin në Soki, zoti Bush e bëri të qartë se ai ishte ftuar në qytetin turistik rus ku në mënyrë specifike do të bisedohej rreth problemit të mbrojtjes nga rraketat. Ai tha se e di që partnerët evropianë të Amerikës do të qetësohen nëse arrihet një marrëveshje me Moskën. Ai tha se është optimist se kjo mund të realizohet.

Kohët e fundit, Presidenti dërgoi në Moskë Sekretaren e Shtetit, Kondoliza Rajs dhe Sekretarin e Mbrojtjes, Robert Geits, për të biseduar rreth problemit të diskutueshëm të mbrojtjes nga rraketat. Gjithashtu, zoti Bush i dërgoi një letër Presidentit Putin, në të cilën ai fliste për një strukturë të re strategjie midis dy vendeve.

Presidenti i përshkroi bisedimet e tij në Soki si një vazhdim i vizitës së sekretarëve Rajs dhe Geits. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Stiven Hadli, tha se Presidenti Bush beson se tani është koha për t’u ulur me Presidentin Putin për të diskutuar mbi këto probleme.

“Kjo është një mundësi për të dy udhëheqësit të takohen, të vlerësojnë progresin e arritur dhe të shohin nëse mund të bien dakord për një strukturë që mund të konsolidojë marrëdhëniet në fusha në të cilat jemi duke bashkëpunuar, ndoshta edhe të zgjidhim disa probleme të pa përfunduara si mbrojtja nga rraketat”, tha zoti Hadli.

Moska kundërshon me forcë propozimin e Shteteve të Bashkuara për një sistem mbrojtjeje nga rraketat, sipas të cilit do të vendoset një sistem radarësh në Republikën Çeke dhe interceptorë rraketash në Poloni. Qeveria ruse thotë se plani kërcënon sigurinë e Rusisë dhe mund të çojë në një garë të re armatimi. Por, Presidenti Bush ka theksuar se objektivi nuk është Rusia dhe se plani ka si qëllim të mbrojë Evropën nga një kërcënim i bërë nga shtete të papërgjegjshme, si Irani. Stiven Hadli tha se administrata është përpjekur të gjejë mënyra për t’i dhënë garanci Rusisë dhe për ta afruar në këtë proces.

“Presidenti ka folur rreth mundësisë që Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Evropa të punojnë së bashku për krijimin e një strukture rajonale, si partnerë të barabartë dhe nëse do të zhvillohet ky plan, kjo do të kërkojë kontribuim burimesh nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Rusia për t’i dalë përpara kërcënimeve që vijnë nga Lindja e Mesme, të cilat mund të kërcënojnë si Evropën ashtu dhe Rusinë. Pikërisht në këtë përfundim duam të arrijmë”, tha këshilltari i Presidentit Bush.

Përveç sistemit të mbrojtjes nga rraketat, Presidenti Bush gjithashtu planifikon të diskutojë në Soki probleme në rritje, veçanërisht shqetësimet e tij mbi ambicjet bërthamore të Iranit.

Zoti Bush, gjatë intervistës me gazetarët e huaj, nuk tha nëse ai pret që presidenti i sapo zgjedhur i Rusisë, Dmitri Medvedev, të jetë i pranishëm në takim. Zoti Bush vuri në dukje se do të vëzhgonte me një interes të madh zhvillimet gjatë muajve të ardhshëm në Rusi, por tha se nuk do ta paragjykojë presidentin e ri deri sa të ketë mundësinë të bisedojë drejt për së drejti me të.//af

XS
SM
MD
LG