Lidhje

Vota e grave, çelësi i mbijetesës së kandidaturës së Hillëri Klintonit


Në politikën amerikane po shtohen thirrjet që senatorja Hillari Klinton t’i japë fund fushatës së saj për emërimin e Partisë Demokrate. Vëzhguesit thonë se matematikisht zonja Klinton nuk mund të barazohet me kandidatin tjetër demokrat presidencial, senatorin Barak Obama, për sa i përket numrit të delegatëve, numër që eventualisht i siguron kandidatit emërimin e partisë për në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Zyrtarët të shquar të Partisë Demokrate janë të shqetësuar se një luftë e hidhur mes zonjës Klinton dhe zotit Obama mund të çojë në një pjesëmarrje më të ulët të votuesve demokratë në zgjedhjet e përgjithshme. Por zonja Klinton gjen një mbështetje të fortë tek aktivistet e të drejtave të grave, të cilat nuk duan që ajo të largohet nga gara.

Disa analistë politikë në Shtetet e Bashkuara thonë se senatorja Hillari Klinton nuk ka pothuajse asnjë shans të fitojë kandidaturën e Partisë Demokrate. Ajo është pas senatorit Barak Obama për nga numri i delegatëve dhe për nga vota popullore. Matthew Dowd, është konsulent politik për televizionin ABC: "Mundësia e saj për të fituar është e pamunduar". Por grupet e të drejtave të grave thonë se vëzhguesit politikë kanë gabuar edhe më parë për zonjën Klinton.

Kim Gandy është presidente e Organizatës Kombëtare për Gratë në Washington që ka përkrahur senatoren Klinton. "Ekspertët kanë kënaqësi të madhe të thonë se dikush ka marrë fund dhe sigurisht që e kanë thënë këtë për senatoren Klinton disa herë. Por ajo është ngritur mbi pluhurin e parashikimeve të tyre". Zonja Gandy thotë se votueset gra kanë qënë kyçi i qëndrueshmërisë së kandidaturës së zonjës Klinton kur gjasat dukeshin të pakta. Së pari, pas humbjes së zonjës Klinton në Iowa në janar, gratë në New Hampshire sfiduan pritshmërinë e medias dhe votuan për të në një numër të madh.

Pas një vargu humbjesh në shkurt, thirrjet ndaj zonjës Klinton për t’i dhënë fund garës arritën kulmin. Por në mars, zonja Klinton fitoi gara të rëndësishme në Ohio dhe Texas, përsëri falë votës së grave. Tani përkrahësit e saj argumentojnë se thirrjet për t’i dhënë fund garës presidenciale janë të parakohshme.

Zonja Gandy thotë se ka standarte të dyfishta për zonjën Klinton për shkak të gjinisë së saj – diçka kjo që shumë gra e dinë nga ambjenti në punën e tyre. "Në se një koleg mashkull shihet si i prerë, e njëjta sjellje nga një grua quhet agresive. Ose në se kolegu shihet si i dhënë pas detajeve dhe me njohuri të thella mbi një subjekt, gruaja quhet mistrece".

Carol Jenkins, presidente e Qendrës Mjekësore për Gratë në Nju Jork, thotë se gratë mbajnë vetëm 3 përqind të atyre që quhen pozicione mbizotëruese në media. Si rezultat thotë ajo shumë nga komentet politike për zonjën Klinton vijnë nga perspektiva e një mashkulli. "Shpesh dëgjon gazetarë apo ekspertë që e teprojnë kur përshkruajnë zonjën Klinton. Ata flasin për rrobat e saj, flasin për tonin e zërit që nuk e durojnë dot. Kur diskuton gjëra të tilla, kemi të bëjmë me diskriminim dhe jo me analiza të drejta". Shumë kundërshtarë të senatores Klinton thonë se kritika për të nuk ka të bëjë fare me gjininë e saj.

Janice Shaw Crouse është analiste ne Qendrën Shqetësimi i Grave për Amerikën, një grup konservator në Washington. "Zonja Klinton, fatkeqësisht nuk ka një personalistet të ngrohtë. Është e ftohtë kështu që shumë njerëz nuk e pëlqejnë".

Dhe shumë feministe të Partisë Demokrate favorizuan senatorin Barak Obama në vend të zonjës Klinton. Carol Jenkins thotë se në veçanti feministet afrikano-amerikane e kanë të vështirë të vendosin në se duhet të mbështesin një afrikano-amerikan për president apo një grua. "E quaj veten feministe me krenari, kam punuar për çështjen e grave gjatë gjithë karrierës sime. Gratë këtë vit e kanë të vështirë se për cilin kandidat të votojnë dhe për këtë ekzistojnë ndjenja të forta".

Qendra për Median e Grave nuk ka mbështetur ende një kandidat presidencial, por zonja Jenkins shpjegon arsyen përse shumë gra nuk duan që zonja Klinton të tërhiqet nga gara. "Mendoj se shumë gra të moshës sime mendojnë se nuk duan të vdesin pa parë një grua presidente, për t’u kaluar ajo pengesa kur bëhet fjalë për pushtetin. E dimë që kjo do të ndodh më në fund për një afrikano-amerikan por nuk jam shumë e sigurtë në se do të ndodh për një grua". Vetë zonja Klinton thotë se do të vazhdojë të qëndrojë në garë presidenciale deri në fund. //rd//

XS
SM
MD
LG