Lidhje

Gjykata e Hagës shpall të pafajshëm Ramush Haradinajn


Gjykata e Hagës hodhi poshtë të gjitha akuzat ndaj ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Zoti Haradinaj dhe dy ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin akuzuar për vrasje, përdhunime, tortura dhe përndjekje të serbëve dhe atyre që mendohet se kishin bashkëpunuar me ta në vitin 1998.

Shpallja e vendimit për ish-Kryeministrin Ramush Haradinaj nga gjykatësi Alphonse Orie, u shoqëruan me duartrokitje dhe brohoritje nga publiku që kishte mbushur sallën.

“Trupi gjykues iu shpall juve zoti Haradinaj, të pafajshëm dhe për këtë arsye hesh poshtë të gjitha akuzat ndaj jush në akt-padi”.

Gjykatësit thanë se për ta kishte rezultuar e vështirë “që të arrinin në përfundimin nëse ishte kryer ndonjë krim, apo nëse UÇK-ja ishte përfshirë”, duke u nisur nga të dhënat e organit të akuzës, të cilat ata i quajtën “të pamjaftueshme”, “të mjegullta, të paqarta, ose joekzistente”, për pothuajse të 37 akuzat, përfshirë ato për 30 trupat e gjetur në një kanal për të cilët akuza thotë se ishin viktima të UÇK-së, por për të cilat gjykatësit arritën në përfundimin se nuk mund të vërtetoheshin.

Akuza ishin ngritur edhe për komandantët e UÇK-së Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaja. Prokurorët kishin thënë se të akuzuarit ishin pjesë e një përpjekjeje kriminale për të marrë nën kontroll pjesë të Kosovës duke eliminuar serbët, romët dhe bashkëpunëtorët e tyre qofshin ata vërtet të tillë, apo të perceptuar si të tillë.

Vetëm Brahimaj u shpall fajtor për tortura dhe trajtim mizor kundër dy viktimave. Ai u dënua me gjashtë vjet burgim.

Akuzat ndaj Balajt u hodhën poshtë, por u dha urdhër që ai të kthehej në Kosovë për të përfunduar një dënim prej 15 vjetësh që i ishte dhënë në vitin 2002 në një çështje tjetër.

Gjykatësi Orie vuri në dukje se sigurimi i provave kishte qenë një ndërmarrje e vështirë për prokurorët.

“Trupi gjykues krijoi përshtypjen se gjyqi po mbahej në një atmosferë ku dëshmitarët ishin të pasigurt”.

Rreth një e treta e 100 dëshmitarëve të akuzës u desh të mbroheshin nën masa të posaçme dhe për një pjesë tjetër ishte marrë vendim gjyqi që i detyronte të dëshmonin. Dy prej tyre janë arrestuar dhe mbahen të ndaluar për mosbindje ndaj gjykatës, pasi nuk kishin pranuar të dëshmonin.

Një zëdhënëse thotë se prokurorët janë mjaft “të zhgënjyer” nga vendimi, të cilin do ta studjojnë para se të vendosin nëse do ta apelojnë. Ajo thotë se prokurorët nuk kishin qenë në gjendje të paraqisnin të gjitha provat që donin në një proçes ku avokatët mbrojtës nuk kishin thirrur asnjë dëshmitar. //kk//

XS
SM
MD
LG