Ish Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u kthye sot në Kosovë, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për t'i dhënë atij pafajësi nga akuzat e ngritura.
Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj ju ktheheni sot në Kosovë pas një mungese tre vjeçare dhe kur Kosova është bërë tashmë një shtet i pavarur. Fillimisht si e përjetuat mbërritjen sot në Prishtinë.
Ramush Haradinaj: Ishte një bashkim fizik me njerëzit, me vendin dhe gjithsesi me punën për të cilën gjithmonë jam përkushtuar.
Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj cili do të jetë roli juaj tashmë pas kthimit. Nga deklarata juaj e djeshme duket se ju u rikthyet në politikë në minutën që u dha vendimi për lirim. Çfarë roli pritet të shohim nga ju në të ardhmen në Kosovë?
Ramush Haradinaj: Angazhimi im në jetën publike dhe politike përveç një pamje të parë të zakonshme që duhet ta kishte në shumë vende të tjera, në Kosovë ka të bëjë edhe me vetë konsolidimin e jetës sonë në shtetin e ri të Kosovës. Pra angazhimi im në jetën publike, atë politike përmes udhëheqjes së Aleancës për Pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunimit me institucionet e Kosovës ka të bëjë me konsolidimin e të arriturave të deritashme në Kosovë dhe me avancimin e këtyre të arriturave.
Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, kryeministri i Serbisë Koshtunica reagoi dje menjëherë pas vendimit të Hagës, duke e quajtur vendimin një turp për drejtësinë. Si do t’i përgjigjeshit ju këtyre komenteve?
Ramush Haradinaj: Ajo që është me rëndësi është se në Kosovë, shqiptarët e Kosovës por edhe pakicat në Kosovë duke përfshirë edhe shumë serb janë në dijeni të së vërtetës. Ndërsa përsa i përket qytetarëve të Serbisë unë ndjehem shumë keq sepse ata ende i ekspozohen një propagande nga institucionet e tyre dhe mendoj që kjo është në dëm të opinionit publik të Serbisë. E vërteta është ndryshe. Kjo është drejtësia me pamjen e vetë të vërtetë dhe po të dihet kjo e vërtetë edhe në Serbi nga opioni i Serbisë do të ishte në dobi të të gjithëve.
Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, kritikët e pavarësisë së Kosovës kanë përmendur shpesh ndër të tjera si argument të tyre se me pavarësinë po krijohej një shtet mafioz në Evropë. Dy nga problemet kryesore për të cilat është kritikuar Kosova kanë qënë ato të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Çfarë kontributi do të jepni ju për tu marrë me këto probleme?
Ramush Haradinaj: Ndoshta është mirë për të shpjeguar se nga një situatë e një konflikti në Kosovë ka pasuar një kohë emergjente të cilën e kemi tejkaluar dhe tani jemi në një situatë kur ne vazhdojmë të konsolidojmë demokracinë dhe të zhvillojmë lirinë për njerëzit e Kosovës, vlera këto për të cilat ne mburremi dhe na vjen mirë që për këto vlera ne kemi gjetur mirëkuptimin dhe kemi marrë vlerësimin e shumë qeverive dhe shumë vendeve. Gjithësesi ne jemi besnikë ndaj këtyre vlerave dhe nuk bëhet fjalë që të tolerojmë në Kosovë dukuri si këto, si krimin e organizuar apo dukuri të tjera negative për jetën tonë, për jetën e njerëzve dhe të qytetarëve të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj në kohën kur ju ishit kryeministër, ndonëse për pak kohë, ju punuat intensivisht për të arritur pajtimin etnik në Kosovë. A mendoni se sot Kosova është etnikisht më e ndarë se më parë dhe a ka shanse të tilla që të realizohet pajtimi etnik?
Ramush Haradinaj: Unë i kam përcjellë me vëmendje zhvillimet në Kosovë. Jam i bindur se pjesa më e madhe e shumicës shqiptare por edhe e pakicave, por edhe pjesa më e madhe e pakicës serbe në Kosovë janë në dijeni për vetë zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë për domosdoshmërinë e tyre dhe janë në dijeni se këto zhvillime dhe këto vendime të mëdha historike janë edhe një mundësi për ta për të ndërtuar një jetë të përbashkët në Kosovë. Unë jam i bindur se ne do të mund të ndërtojmë një jetë të përbashkët për të gjithë qytetarët e Kosovës, për shqiptarët por edhe për të gjitha pakicat dhe për serbët e Kosovës. Një numër i madh i serbëve me të cilët kam punuar dhe me të cilët kam mundur të mbajë kontakte edhe gjatë qëndrimit tim në Hagë prej të cilëve kam marrë edhe përshëndetje me rastin e kthimit, janë të bindur se do të mund të ndërtojmë një Kosovë për të gjithë qytetarët, me mundësi të barabarta për të gjithë. //rd//