Lidhje

SHBA: Programi në dy gjuhë përgatit nxënësit për shoqërinë globale


Shtetet e Bashkuara janë vend imigrantësh, prandaj edhe kanë lidhje të shumta kulturore me vendet e ndryshme të botës. Kjo pa dyshim e shton interesimin për mësimin e gjuhëve të huaja në shkollat amerikane. Kronika në vijim flet për shkollën fillore Kent Garden në McLean të Virginias, pranë Washingtonit e cila i përgatit nxënësit që të jenë të aftë të flasin mirë dy gjuhë.

Mbi 900 nxënës vijnë çdo mëngjes në këtë shkollë, për të marrë pjesë në një program mësimdhënieje, ku një pjesë e lëndëve zhvillohen në anglisht dhe pjesa tjetër në gjuhë të huaj për t’i ndihmuar nxënësit të flasin rrjedhshëm një gjuhë të huaj, në këtë rast frengjishten.

Eni Duajër është mësuese e frengjishtes për klasën e pestë. Ajo thotë se programi i zhvillimit të lëndëve në gjuhë të huaj është konceptuar pikërisht për nxënësit që duan të mësojnë frengjishten. Ata e kalojnë gjysmën e ditës me mësuesen e frengjishtes, me të cilën zhvillojnë lëndët e matematikës dhe të shkencës në frengjisht, ndërsa lëndët e tjera, ato shoqërore, si dhe gjuha e letërsia zhvillohen në anglisht.

Nxënësit, jo vetëm që zhvillojnë lëndë në frengjisht, por ata njihen edhe me aspekte të tjera të vendeve frengjishtfolëse. Studentja Rosa Ahmat thotë se ajo është myslimane, prandaj prindërit duan që ajo të mësojë për kulturat e tjera, vendet dhe popujt e ndryshëm të botës. Anvar Mendes, një tjetër nxënës thotë se në të ardhmen, ndoshta do të udhëtojë më tepër, kështu që do të ketë më tepër mundësi të takojë njerëz frengjishtfolës.

Disa mësues besojnë se zhvillimi i disa lëndëve mësimore në gjuhë të huaj gjysmën e ditës së shkollës, i përgatit nxënësit për ekonominë globale. Christine Bederot është mësuese e frengjishtes për nxënësit e klasës së gjashtë. Ajo thotë se programi i dy-gjuhësisë i zgjeron horizontin fëmijëve dhe në të njëjtën kohë, i bën ata të ndërgjegjshëm për ekzistencën e kulturave të tjera; dhe në të njëjtën kohë, i bën nxënësit më tolerantë për ndryshimet mes njerëzve.

Disa kritikë argumentojnë se programi për zhvillimin e gjysmës së lëndëve në gjuhë të huaj mund të ndikojë negativisht tek rrjedhshmëria e nxënësve për të folur anglisht. Ricard Gordon është mësues i anglishtes dhe i shkencave shoqërore për klasën e gjashtë. Ai nuk është dakord me këtë mendim. "Diçka që kam vënë re kur u jap mësim nxënësve të përfshirë në programin e mësimit të gjuhëve të huaja, është se ata paraqiten shumë mirë në gjuhën e folur dhe se mundet të shprehen shumë mirë në orën e anglishtes."

Mësuesit e frengjishtes, si Fransuaz Brot, pranojnë se ekzistojnë disa sfida në programin e zhvillimit të lëndëve në dy gjuhë. "Përderisa ata nuk kuptojnë gjithshka, ne duhet të gjejmë mënyra krijuese dhe të ndryshme për t’u dhënë atyre mësim.

Nxënësit në moshë të re ndeshen me vështirësi. Kimia Zadegan është nxënëse e klasës së gjashtë dhe ajo bën pjesë në programin e gjuhëve të huaja. "Nganjëherë mund të jetë pak e ngatërrueshme kur mëson termat në frengjisht dhe disa nga detyrat duhet t’i bësh në anglisht," thotë ajo.

Robin Huker është drejtoreshë e Shkollës Kent Garden. Shumë nga fëmijët e shkollës sonë, ngaqë është shkollë ndërkombëtare, dinë dy, tre, ose ngandonjëherë, 4 gjuhë, prandaj është përgjegjësia jonë, që t’i përgatisim ata për shoqërinë globale dhe kjo përfshin mësimin e gjuhëve të huaja. Zonja Hooker thotë se nxënësit amerikanë duhet të bëhen të aftë në aspektin e gjuhës dhe të kulturës, në mënyrë që të komunikojnë lirshëm dhe me sukses në shoqërinë pluraliste amerikane, si dhe në mbarë botën e sotme të globalizuar. //bsa//

XS
SM
MD
LG