Lidhje

Dita e Tokës shënohet me manifestime në tetë qytete amerikane


22 prilli është dita e tokës, ngjarje globale, që filloi në vitin 1970 dhe nga shumë njerëz njihet si një ngjarje që i dha hov një lëvizjeje të re për mbrojtjen e mjedisit. Mbrojtësit e mjedisit në Shtetet e Bashkuara planifikojnë ta festojnë këtë ditë sot me një tubim, për të cilin ata shpresojnë se do të jetë një prej më mëdhështorëve në historinë e lëvisjes ambientaliste.

Dita e parë e Tokës gati 40 vjet më parë kishte për qëllim të bëhej protesta e parë mbarëkombëtare kundër ndotjes së mjedisit në historinë e vendit. Si rezultat, thotë presidentja e Rrjetit të Ditës së Tokës Kathleen Rogers, filloi një lëvizje mbarëbotërore për të mbrojtur mjedisin. "Kjo ditë u rrit nga një ngjarje vjetore në Shtetet e Bashkuara në një ngjarrje globale në rreth 180 vende të botës. Në disa vende ajo është një ditë feste, por gjithnjë e më shumë, e sidomos kohët e fundit po bëhet një ditë kur njerëzit diskutojnë dhe ndonjëherë protestojnë për ndryshimet klimatike të mjedisit.”

Nismëtari kryesor i Ditës së Tokës ishte senatori Gaylord Nelson i cili vdiq në vitin 2005. Ja ç’tha ai në vitin 1995 rreth ditës së parë të tokës. “Një ditë më lindi ideja të organizoja një demonstratë mbarëkombëtare mbi shqetësimet rreth mjedisit, aq të madhe sa të zgjoja nga gjumi politikanët, dhe t’i detyroja ata që ta përfshinin këtë çështje në punën e tyre të përditshme. Pra kështu më lindi ideja për të organizuar Ditën e Tokës.”

Edhe sot e kësaj dite, qëllimi i kësaj ngjarjeje nuk ka ndryshuar shumë. “Ne po u kërkojmë njerëzve në mbarë botën që t’u kërkojnë qeverive të tyre të bëjnë diçka dramatike rreth mbrojtjes së mjedisit.”

Tubime dhe koncerte do të organizohen sot në Shtetet e Bashkuara në tetë qytete, përfshirë edhe shëtitoren e kryeqytetit Uashington ku filloi gjithçka në vitin 1970. //IB//

XS
SM
MD
LG