Lidhje

Në prag të zgjedhjeve paraprake në Pensilvani


Në Shtetet e Bashkuara, kandidatët demokratë për president, Barak Obama dhe Hillari Klinton vazhdojnë sulmet ndaj njëri tjetrit në prag të votimeve paraprake të Pensilvanisë që zhvillohen të martën. Secili nga kandidatët akuzoi tjetrin të dielën se po përdor taktika negative për të tërhequr votuesit. Edhe kandidati i Partisë Republikane, Xhon Mekejn, i cili pritet të marrë emërimin e partisë së tij, kritikoi gjatë një interviste televizive lidhjet e senatorit Obama me radikalin e viteve 60, Uilliam Ajers, të cilin zoti Mekejn e quajti terrorist të papenduar.

Kandidatët Hillari Klinton dhe Barak Obama nuk kursyen disa prej sulmeve më të ashpra ndaj njëri tjetrit në prag të votimeve paraprake në Pensilvani. Megjithatë Obama tha se të tre kandidatët presidencialë do të ishin më të mirë sesa presidenti i tanishëm Xhorxh W. Bush. “Sejcili nga demokratët do të ishte më i mirë se Xhon Mekejn. Por të tre ne do të ishim më të mirë se presidenti Xhorxh W. Bush.”

Kjo solli kundërpërgjigjen e zonjës Klinton e cila, duke folur para përkrahësve të saj gjatë një tubimi në Xhonstaun, tha se zoti Mekejn do të vazhdonte politikat e administratës së presidentit Bush. “Senatori Mekejn do të ndiqte të njëjtat politika të dështuara që kanë qenë aq të gabuara për vendin gjatë shtatë viteve të fundit.”

Senatori Mekejn, i cili e ka siguruar emërimin e partisë së tij prej kohësh, kritikoi demokratët duke thënë se ata kërkonin taksa më të larta, çka do ta keqësonte më tej ekonominë tashmë në rënie. Zoti Mekejn kritikoi miqësinë e senatorit Obama me ish radikalin e viteve 60 Ulliam Ajers. Zoti Obama tha se zoti Ajers jeton në lagjen e tij në Çikago, por se nuk ka lidhje të rregullta me të.

Senatori Mekejn ritheksoi qëndrimin e tij në lidhje me Irakun duke thënë se nuk duhet të caktohet një datë për tërheqjen e trupave. “Nëse caktojmë datën për t’u tërhequr, në rajon do të ketë kaos dhe gjenocid. Ndikimi i Iranit do të rritet dhe al-Kaida do të bëhet më e fortë.”

Senatorët Obama dhe Klinton luftojnë për 158 delegatë në shtetin e Pensilvanisë. Anketat paraprake tregojnë se zonja Klinton ka epërsi në këtë shtet, të cilin ajo duhet ta fitojë patjetër për të qendruar në garë.

Zoti Obama ka marrë deri tani 1,646 delegatë, ndërsa zonja Klinton 1,508, sipas shifrave të agjencisë së lajmeve Associated Press. Për të fituar emërimin, një kandidati i duhen 2,025 delegatë. //bsa//

XS
SM
MD
LG