Lidhje

Klinton, Obama, drejt votimeve në Indiana dhe Karolinën e Veriut


Pas fitores së rëndësishme të martën në Pensilvani, kandidatja demokrate për presidente Hillari Klinton thotë se ajo vazhdon të mbetet shansi më i mirë që ka partia e saj për të mposhtur republikanin Xhon Mekejn në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Demokratët Clinton dhe Obama zhvillojnë ndërkohë një garë tjetër më pak të dukshme – garën për të grumbulluar sa më tepër para për fushatat e tyre.

Senatorja Hillari Klinton është megjithatë ende prapa senatorit Barak Obama për nga numri i delegatëve që duhen për të marrë emërimin e Partisë Demokrate. Prova tjetër për zgjedhjet paraprake mes demokratëve do të jetë 6 maji në shtetet Indiana dhe Karolina e Veriut.

Në një miting që mbajti dje në Indiana, zonja Klinton tha se ajo është kandidatja e vetme që mund t’i rikthejë demokratët në Shtëpinë e Bardhë. "Mjafton të pyesni veten se cili do të ishte kandidati më i mirë që mund t’i kundërvihet zotit Xhon Mekejn në debatet dhe në fushatën që do të jetë jashtëzakonisht e nxehtë dhe plotë sfida."

Rezultatet e votimeve të së martës i sollën menjëherë fonde të reja fushatës së zonjës Klinton. Brenda natës, ajo arriti të grumbullojë mbi 3 milion dollarë. Në fillim të kësaj jave, zyrtarët e fushatës së saj deklaruan se në fund të muajit mars kishin pak më shumë se 9 milion dollarë në bankë me një borxh prej 10 milion dollarësh.

Senatori Obama e filloi prillin me fonde fushate që kapnin më tepër se 40 milion dollarë. Duke folur dje në shtetin Indiana, zoti Obama tha se kjo i dedikohej donacioneve të vogla që jepnin individët për fushatën e tij. "Falë internetit, ne arritëm të grumbullojmë nga njerëzit kontribute prej 25 ose 50 dollarësh. Ne arritëm të grumbullojmë më shumë para se cilido tjetër sepse ishit ju që e financuat fushatën tonë dhe kjo do të thotë se unë përgjigjem para jush."

Të mërkurën, zoti Obama hodhi poshtë një lajm të gazetës Washington Post ku thuhej se senatori do të dëshironte të zhvillonte një fushatë më negative kundër zonjës Clinton në javët e ardhëshme. //bsa//

XS
SM
MD
LG