Kandidatja e Partisë demokrate, senatorja Hillari Klinton, filloi fushatën për dy votimet e ardhshme paraprake, megjithëse mbetet ende prapa senatorit Barak Obama në numrin e përgjithshëm të delegatëve. Cili prej tyre do të fitojë emërimin e partisë si kandidat për president? Kjo është ende e paqartë por dy rivalët po bëjnë çmos tani që të fitojnë zgjedhjet paraprake në shtetet e Indianës dhe Karolinës së Veriut, ku votimet zhvillohen më 6 maj.
Titujt kryesorë të gazetave flasin për fitoren e senatores Hillari Klinton në Pensilvani. Ajo thotë se fitorja e saj atje me 10 përqind më shumë se zoti Obama tregon se kandidatura e saj është ende e fortë. “Disa njerëz nuk më llogaritën dhe thanë se duhet t’a lija garën. Por populli amerikan nuk heq dorë. Dhe ata meritojnë një presidente që nuk heq dorë gjithashtu.”
Por senatori Barak Obama u përpoq t’ia ulte vlerën fitores së zonjës Klinton në Pensilvani duke vënë në dukje përsëri se ai mbetet në vend të parë pak muaj para kuvendit të demokratëve për emërimin e kandidatit presidencial. “Nëse ne kemi fituar shumicën e delegatëve nga votuesit, atëherë mendoj se unë duhet të jem kandidati i emëruar për president,” u shpreh Obama.
Pas votimeve në Pensilvani, dy demokratët vazhdojnë fushatën për zgjedhjet paraprake në shtetin e Indianës dhe të Karolinës së Veriut. Kjo reklamë televizive e Barak Obamës për Indianën, e cila tregon mbylljen e një uzine çeliku, prek të njëjtat çështje që dominonin edhe në Pensilvani - ekonomia në rënie dhe humbja e vendeve të punës. “Ne do të rregullojmë ligjet e tregëtisë. Do t’i japim fund uljes së taksave për kompanitë që i transferojnë vendet e punës jashtë vendit dhe do t’ua japim ato atyre që krijojnë vende pune në Amerikë.”
Hillari Klinton, në këtë reklamë televizive, tregon se është e gatshme t’i bëjë ballë krizave të mëdha si presidente. “Duhet të jesh e gatshme për gjithçka. Sidomos tani që jemi të përfshirë në dy luftra, me rritjen e çmimeve të naftës dhe krizën ekonomike. Kush mendoni se mund t’i bëjë ballë këtyre problemeve?”
Senatori Xhon Mekejn, i cili e ka të sigurt emërimin e Partisë Republikane, u përpoq të bëjë humor në një nga ndeshjet e famshme televizive të mundjes. “Duket sikur Hillari Klinton dhe Barak Obama duan t’i zgjidhin mosmarrëveshjet në ring. Po nëse duan të marrin presidencën, atëherë duhet të më mundin mua. Këtë do ta shohim në nëntor kur të ketë përfunduar ndeshja.” Sytë janë drejtuar tani te votimet e 6 maijit në shtetet Indiana dhe Karolina e Veriut. //bsa//