Në një vështrim të ri për globalizimin e krimit të organizuar, autori dhe gazetari Misha Glenny argumenton se rënia e komunizmit dhe liberalizimi I tregjeve financiare kanë hapur rrugën e një “periudhe të artë” për kriminielët kudo në botë.
Libri i ri i Misha Glenny-t me titull "McMafia: një udhëtim në botën e nëndheshme të krimit global” e çon lexuesin në një tur befasues për krimin ndërkombëtar pa kufij. Autori shpjegon se rënia e komunizmint në Europën Lindore” është ngjarja më e rëndësishme që i dha shtysë rritjes dhe zgjerimit të krimit në mbarë botën në dy dekadat e fundit”. Vdekja e komunizmit shteroi rezervat që ushqenin stilin e jetës së elitës udhëheqëse, ku përfshihej dhe policia sekrete:
“Kur dështoi shteti, nuk ishte një ide e mirë lënia e mijëra njerëzve, aftësia e të cilëve ishte të vrisnin, të ndiqnin të tjerët dhe të krijonin rrjete të fshehta, nëpër rrugë”- thotë autori.
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë, ndjekur nga embargot e vendosura nga Perëndimi, sollën si rezultat krijimin e rrjeteve të kontrabandës që tani kanë formuar të quajturën “zonën kryesore për tranzitin për mallrat dhe shërbimet e paligjshme nga e gjithë botë, me synim arritjen në BE” thotë autori Glenny:
“Kur embargoja e armëve u vendos ndaj ish-republikave jugosllave në 1991, brenda pak ditëve u përpunuan kanale të caktuar për transportin e armëve në Kroaci fillimisht e më pas në Bosnie Hercegovinë. Këto kanale shumë shpejt u pasuan dhe nga rrugët ekzistuese të trafikut të drogës, kryesisht heroinës. Më pas erdhën dhe prurje të reja- trafiku i grave, i cili u kthye në një vërshim të madh drejt Europës Perëndimore. Si dhe kontrabanda e cigareve të pataksuara”, - thotë autori.
Specialistët për Ballkanin, thonë se nga fundi i viteve 1990, 30 për qind e cigareve të shitura në Britani ishin të paligjshme. Glenny pretendon se krimi dhe politika gjatë viteve 1990 në Ballkan ishin të gërshetuara pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën:
“E gjithë kjo u bë me një marrëveshje të fshehtë të të gjithë udhëheqësve në ish-jugosllavi, sepse kështu ata mund të furnizonin luftën. Kështu mund të furnizohej aktiviteti paraushtarak, sepse kështu monopolet e krijara shpejt dhe njerëzit si Arkani ( udhëheqës i grupit paraushtarak serb të quajtur”Tigrat”) mund të themelonin perandoritë e tyre”, - thotë autori.
Liberalizimi i tregjeve ndërkombëtare, gjithashtu ndihmoi dhe në rritjen e krimit ndërkombëtar në fund të shekullit të 20. Me hapjen e tregjeve ish komuniste, thotë Glenny, kriminelët nga gjithë bota u bashkuan në rrjete ndërkontinentale, ku përfshiheshin dhe takimet e rregullta për përpunimin dhe gjetjen e rrugëve të reja për armët, drogën, dhe kontrabandën e njerëzve nëpër Europë dhe Lindjen e Mesme. Glenny thekson se urrejtjet e lashta dhe tensionet etnike janë jo ekzistente në botën e krimit global.//lk