Lidhje

Klinton i bën thirrje Obamës për të debatuar


Senatorja Hillari Klinton po e sfidon rivalin e saj për president të Partisë Demokratike, Barak Obama, që të zhvillojnë të dy një debat. Kjo thirrje është pjesë e shtimit të retorikës mes të dy kandidatëve ndërkohë që ata po zhvillojnë fushatë në shtetin e Indianës.

Senatorja Klinton ka mbetur mbrapa Senatorit Obama si për nga numri i delegatëve ashtu edhe nga votat popullore dhe ajo po i bën presion atij për të zhvilluar debate para 6 majit në Indiana dhe në Karolinën e Jugut. Dje zonja Klinton i bëri thirrje rivalit të saj që të zhvillojnë një debat 90 minutash pa moderator.

"Shpresoj që të zhvillojmë një debat të stilit të vjetër, Linkoln-Dagllas, këtu në Indiana, në mënyrë që ju të kemi mundësi të vendosni se cili duhet të jetë presidenti ynë i ardhëshëm”.

Stili i debatit që përmend Senatorja Klinton e ka marrë emrin ga debatet e vitit 1858 në Illinoi mes kandidatëve për Senatin amerikan Abraham Linkoln and Stivën Dagllas.

Këshilltarët e fushatës së zotit Obama thonë se po e shqyrtojnë kërkesën për debat. Senatori Obama është ankuar se në debatin e fundit të zhvilluar më 16 prill, moderatorët u përqendruar së tepërmi në çështje pa rëndësi politike dhe shumë pak në çëshjte reale.

Senatorja Klinton u tha pjesëmarrësve në një miting në Bendin Jugor të Indianës dje se ajo po përqendrohet në thelbin e çështjeve, ndërsa Senatori Obama po mbështetet në stilin e të shprehurit.

"Unë jam shprehur fare qartë si në Indiana ashtu edhe në gjithë Amerikën, se ne duhet të flasim për zgjidhjen e problemeve, sepse fushata ime ka të bëjë me zgjidhje jo me fjalime. Ajo ka në thelb ndryshimet që ne e kemi të qartë se duhen bërë”.

Në një miting në Anderson të Indianës, Senatori Obama iu përgjegj kritikëve, të cilët kanë thënë se ai nuk ka qënë i rreptë sa duhet ndaj sulmeve verbale të Senatores Klinton.

"Mua nuk më intereson të luftoj njerëzit thjesht për të fituar pikë në politikë ose për t’i bërë interesante programet e lajmeve. Në qoftë se do të luftoj ndaj dikujt, kjo do të jetë për të mirë të popullit amerikan, për plotësimin e nevojave të tij. Unë do të luftoj për shërbimin shëndetësor. Unë do të luftoj që njerëzit të kenë punë dhe paga të mira. Unë do të luftoj deri në vdekje për të garantuar se Amerika do të jetë e mbrojtur. Këto janë për çfarë unë do të luftoj”.

Anketat tregojnë se Senatori Obama është ndjeshëm në avantazh në Karolinën e Veriut, ndërsa në Indiana të dy kandidatët demokratë janë ose barabar ose zoti Obama është paksa në avantazh.

Ndërkaq, Senatori Xhon Mkein, i cili mendohet se do të jetë kandidati republikan, nuk bëri asnjë lloj fushate dje, pasi doli në publik në shtetin jugor Arkansa me ish guvernatorin, Majk Hakëbi, që në fillimit e fushatës ishte një nga kandidatët republikanë për president. //iç//

XS
SM
MD
LG