Lidhje

Departamenti i Shtetit publikon raportin vjetor mbi terrorizmin


Në raportin e Departamentit të Shtetit mbi Terrorismin në botë thuhet se Irani mbetet shteti që e mbështet më shumë atë. Në raport thuhet gjithashtu se al-Kaida po rifiton forca në enklavat e Pakistanit. Raporti vjetor që i paraqitet Kongresit, bën të ditur se Koreja e Veriut mund të hiqet së shpejti nga lista e hartuar nga Shtetet e Bashkuara.

Raporti për vitin 2007 vë në dukje se numri i incidenteve terroriste në botë ra paksa në krahasim me 2006, në 14 mijë e 500. Edhe në Irak si sulmet terroriste ashtu edhe numri i të vrarëve ra ndjeshëm nga fundi i vitit.

Por numri i viktimave të terrorizmit u shtua rreth 8 përqind në 2007 në më shumë se 22 mijë dhe u katërfishua në Pakistan, ku ekstremistët me baza në rajonet fisnore ndërmorën një fushatë dhune në mbarë vendin kundër qeverisë së Islamabadit.

Raporti e veçon Iranin si shtetin më aktiv në mbështetjen e terrorizmit që përkrah mes të tjerësh edhe fraksionet konservatore të Pakistanit që janë kundër përpjekjeve për paqe të mbështetura nga Shtetet e Bashkaura, ekstremistët Hezbollah dhe kryengritësit irakianë.

Në një konferecë shtypi me gazetarët, titullari i zyrës së Departamentit të Shtetit Kundërterrorizmit, Dell Dejli, tha se Irani i përbërë kryesisht nga myslimanë shiitë po ndihmon gjithashtu edhe kryengritësit talebanë suni në Afganistan, në atë që ai e quajti taktikë djallëzore për t’i mbajtur nën presion forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

"Llogjika e Iranit është që të vazhdojë dërgimin e armëve në Afganistan për t’i mbajtur forcat e koalicionit, dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara, por edhe të tjerat të angazhuara dhe mundësishit t’i ç’orjentojë ato. Për mendimin tim ajo që nuk do Irani është një Afganistan plotësisht paqësor me një bazë amerikane në lindje të kufijve të tij”.

Në raport thuhet se al-Kaida dhe grupet që lidhen me të ishin kërcënimi më i madh terrorist për Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre gjatë 2007. Al-Kaida ka ripërtërirë disa nga aftësitë e saj operacionale të para 11 shtatorit 2001 në zonat e largëta kufitare fisnore të Pakistanit. Në raportin e përvitshëm për terrorizmin global, Departamenti i Shtetit thotë se al-Kaida shfrytëzoi paqendrueshmërinë në rajonin e lufirit mes Pakistanit dhe Afganistanit, si edhe një armëpushim të ndërmjetësuar nga Islamabadi që ishte në fuqi gjatë gjysmës së parë të vitit 2007.

Në raport thuhet gjithashtu se megjithëse disa operativë të al-Kaidës janë kapur ose vrarë, kjo organizatë nën udhëheqjen strategjike dhe operacionale të Ajman al-Zauahirit të lindur në Egjipt, ka forcuar lidhjet me degët e saj në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Jugut dhe në Evropë. Të dhënat e raportit u mblodhën nga Qendra Kombëtare e Kundërterrorizmit e qeverisë amerikane.

Nëndrejtori i kësaj qendre, Ras Trejvërs, u tha gazetarëve se mbi 50 përqind e më shumë se 72 mijë e njerëzve të vrarë ose të plagosur në sulmet terroriste gjatë 2007-tës ishin myslimanë dhe se xhamitë dhe shkollat myslimane, veçanërisht ato të vajzave, u vunë vazhdimisht në shënjestër. Zoti Trejvërs tha se al-Kaida pretendon se i ka shmangur civilët por shifrat tregojnë se kjo nuk është e vërtetë.

"Ne i kemi mbështetur të dhënat për sulmet në deklaratat e grupeve të lidhura me al-Kaidën dhe në ato sulme janë vrarë rreth 5 mijë e 400 civilë, në vende të tilla si tregjet, ceremonitë e varrimit e kështu me radhë. Por numëri i të vrarëve është shumë më i lartë. Por këto janë vetëm sulmet për të cilat kanë marrë përgjegjësinë grupet e lidhura me al-Kaidën”.

Në listen e Shteteve të Bashkuara për vendet që mbështesin terrorizmin mbeten po pesë shtete: Irani, Siria, Koreja e Veriut, Sudani dhe Kuba. Por në raportin e Dapartamentit amerikan të Shtetet, Sudani vlerësohet për bashkëpunimin e tij në luftën kundër terrorizmit. Në raport thuhet gjithashtu se Koreja e Veriut, për të cilën nuk ka të dhëna të ketë mbështetur ndonjë akt terrorist që nga viti 1987, do të hiqet nga lista, në kudrin e marrëveshjes 6-palëshe sipas të cilës ajo duhet t’i japë fund programit të saj bërthamor.

Shqipëria në Raportin mbi Terrorizmin Global

Nga Ilir Ikonomi

Në raportin e Departamentit të Shtetit për Terrorizmin, thuhet se Shqipëria premtoi të shtojë kontributin me trupa si në Afganistan dhe në Irak, mbajti të ngrira llogaritë bankare të lidhura me pastrimin e parave dhe me financimin e terrorizmit.

Shqipëria, thuhet në raport, bashkëpunoi në mënyrë agresive me Shtetet e Bashkuara dhe me vende të tjera për të luftuar terrorizmin. Ajo ka bërë përparim për të identifikuar dobësitë në kufijtë e saj tokësorë dhe detarë. Megjithatë, qeveria dhe forcat e policisë vazhduan të përbllen me vështirësi të mëdha për të siguruar plotësisht kufirin si dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në dhjetor, u ngritën akuza ndaj Hamzeh Abbu Rayan, administrator i Yassin Kadi, i cilësuar si financues i terrorizmit në bazë të rezolutës 1267 të Këshillit të Sigurimit. Akuza kishte të bënte me fshehje fondesh për financimin e aktiviteteve terroriste. Ky ishte rasti i parë në Shqipëri që ngriheshin akuza për një çështje që lidhej me financim të terrorizmit. Një padi civile e ngritur nga Yassin Kadi për të çbllokuar asetet e tij u hodh poshtë për arësye teknike por ajo u paraqit përsëri në gjykatë në muajin korrik.

Megjithëse këtë vit nuk pati bllokime pasurish në bazë të ligjit shqiptar të vitit 2004 për këtë qëllim, ministria e financave deklaroi vitin e kaluarv se vazhdonte të mbante të bllokuara pasuritë e 6 individëve dhe 14 fondacioneve apo kompanive që ishin në listën e këshillit të sigurimit. Megjithatë, ka mungesë infrastrukture për përpunimin e të dhënave dhe mundësi të kufizuara për të ndjekur çështjet si duhet.//lk

XS
SM
MD
LG