Lidhje

Senatorët Klinton e Obama vazhdojnë fushatën në shtetin Indiana


Hera e fundit që një demokrat ka fituar zgjedhjet në shtetin qendror të Indianës ka qenë viti 1964. Megjithëse, Indiana shihet si shtet kryesisht konservator republikan, ekspertët thonë se këtë vit zgjedhjesh politika aty mund të ndryshojë shumë. Anëtarë të Partisë Demokrate pritet të marrin pjesë gjerësisht në zgjedhjet paraprake presidenciale. Kjo ka bërë që të dy kandidatët të vazhdojnë fushatën e tyre për vota deri në ditët e fundit para zgjedhjeve të 6 majit.

Xhenifer Pek është ndër vullnetarët e shumtë që punojnë për senatoren Hillary Klinton, e cila kërkon emërimin si kandidate presidenciale për Partinë Demokrate. Pek thotë se është e kënaqur që shteti i saj do të mund të kontribuojë në zgjedhjen e kandidatit demokrat. “Ky është rasti ku njerëzit mund ta shohin sa vlerë ka vota e tyre, prandaj mendoj se zgjedhjet në Indiana do të kenë rëndësi.”

Zonja Klinton, ka marrë tashmë përkrahjen e senatorit popullor të Indianës Ivan Bah. Analistët presin që ajo të dalë mirë në zonat rurale të këtij shteti. Indiana shtrihet pranë shtetit Illinoi të senatorit Barak Obama, dhe qendra e fushatës së tij është në Çikago. Ai nuk ka humbur asnjë nga garat në shtetet në kufi me Illinoin, dhe stafi i tij shpreson që kështu të ndodhë edhe në Indiana.

Vullnetarët thonë se shumë votues këtu janë ende të pavendosur. Zonja Pek, ish mësuese, tani shtëpiake dhe kamariere, thotë se është e shqetësuar për vendet e punës dhe ekonominë, sikurse shumë votues të tjerë. “Mendoj se votuesit e pavendosur nuk po nguten dhe po i shohin me kujdes të dy kandidatët. I analizojnë të dy kandidatët që vijnë në këtë zonë, gjë që nuk ka ndodhur që prej 40 vjetësh.”

Në përpjekje për të fituar votuesit e lëkundur, të dy kandidatët kanë filluar të vizitojnë shpesh Indianën në të prag të zgjedhjeve paraprake të 6 majit. Demokratët presin që senatori Obama të dalë mirë në South Bend, qyteti ku ndodhet Universiteti i Notre Damit.

Deri kohët e fundit, studentët në klasën e shkencave politike të profesor Deren Dejvis e ndiqnin nga larg garën për emërimin e Partisë Demokrate. Zoti Dejvis thotë se Natën e votimeve paraprake presidenciale në Pensilvani, ai i ndoqi me kujdes zgjedhjet dhe rezultatet, duke e ditur se votuesit në Pensilvani dhe Indiana ndajnë të njëjtat shqetësime. “Këto dy shtete janë më të ngjashme për sa i përket papunësisë, humbjes së vendeve të punës, gjendjes së ekonomisë, transferimit të vendeve të punës jashtë vendit dhe ndikimin që ka kjo tek ekonomia.”

Ndërsa zoti Dejvis vazhdon t’i ndjekë të dhënat e anketave, ai thotë se gara në këtë shtet është e ngushtë. “Tani ata janë shumë pranë njëri tjetrit sipas të dhënave statistikore. Megjithatë mendoj se Hillari Klinton ka më shumë shanse duke pasur parasysh anketat e votuesve si dhe Ohajon dhe Pensilvaninë.”

Senatori Obama ka epërsi ndaj zonjës Klinton në numrin e votave popullore që nga zgjedhjet e mëparshme paraprake dhe delegatët e premtuar nga shtetet e tjera. Shumë demokratë thonë se zonja Klinton duhet ta fitojë patjetër Indianën nëse dëshiron të vazhdojë garën për emërimin e Partisë Demokrate. //ad//

XS
SM
MD
LG