Lidhje

Dinamika e Ballkanit pas pavarësisë së Kosovës


Duke folur në Qendrën Udrou Uilson këtu në Uashington profesor Isa Blumi thotë se mënyra e formimit të shteteve të reja ka ndryshuar në shekullin e 20-të. Kjo ndikon në mënyrën e formimit të politikave që kanë ndikim jo vetëm në Ballkan por edhe në të gjithë botën. Zoti Blumi thotë se për t’iu përgjigjur pyetjes se çfarë duhet bërë me Kosovën tani pas shpalljes së pavarësisë, vështrimi duhet të hidhet përtej politikave rajonale apo ndërkombëtare dhe i duhet kushtuar më shumë vëmendje banorëve të Kosovës.

“Nëse mendojmë për njerëzit që jetojnë atje, pra për banorët e Kosovës, si personazhe historike, duhet ta kuptojmë se ato nuk janë pasivë, ato nuk janë mjete që mund të manipulohen apo thjesht pasqyrim i proceseve të natyrshme. Përkundrazi ato janë të angazhuar dhe ndryshojnë vazhdimisht.”

Këta banorë, thotë zoti Blumi, përshtaten dhe i detyrojnë shtetet e tyre të ndryshojnë. Kjo ka ndikuar në mënyrën si perëndimi është detyruar t’i trajtojë ngjarjet e paparashikuara në Kosovë, pra jo përmes takimeve zyrtare në Uashington, Bruksel apo Beograd, por duke lënë pas termat moderniste dhe duke kuptuar dinamikën lokale. Analisti Obrad Kesiç pajtohet me këtë vlerësim.

“Jam dakort me mendimin e zotit Blumi se politikanët perëndimorë, apo ato që merren me politikën e jashtme nuk e kanë kuptuar kurrë si duhet Ballkanin, prandaj mendoj se kjo ka qenë kundër-produktive. Pra, po ta shohim Ballkanin, ai është kthyer në një çështje interesash të aktorëve të jashtëm më shumë se të aktorëve të brendshëm të cilët faktikisht e gjejnë veten në situata të vështira.”

Profesor Blumi thotë se për të analizuar si duhet problemet në Ballkan, faktorët ndërkombëtarë duhet të distancohen nga perceptimet e krijuara për të kuptuar ngjarjet e së tashmes. Ai thotë se theksi duhet të vihet tek arsimi, i cili deri tani është lënë pas dore.

“Arsimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ai është lënë krejtësisht pas dore nga UNMIK-u. Rrogat e mësuesve janë qesharake dhe nuk ka standarte. Edhe vetë Universiteti i Prishtinës ka nevojë për reforma domethënëse.”

Profesor Isa Blumi e vë theksin tek shfrytëzimi maksimal i aftësive vendore në Kosovë. Zoti Blumi thotë gjithashtu se Kosova e ka mundësinë të mbështetet në burimet e veta ekonomike, dhe analisti Obrad Kesiç e mbështet këtë mendim.

“Po, mendoj se Kosova mund të mbështetet në burimet e veta. Por unë e shoh këtë në një kontekst më të gjerë. Mendoj se vendet e rajonit, pra të Ballkanit duhet të bashkëpunojnë më shumë për të zgjidhur problemet e tyre.”

Cilado qoftë rruga që do të marrin vendet ballkanike, një gjë është e qartë se politikat ndërkombëtare në rajon mund të jenë të qëndrueshme vetëm nëse bazohen dhe u përshtaten botëkuptimeve të banorëve lokalë. //kh//

XS
SM
MD
LG