Lidhje

Ndihma për viktimat e tornadove në Virxhinia


Më 28 prill disa tornado të fuqishëm goditën rajonin juglindor të shtetit të Virxhinias, duke plagosur rreth 200 veta dhe duke shkaktuar miliona dollarë në dëme. Pjesa më e madhe e dëmit ndodhi në qytetin Sofolk ku viktimat po përpiqen t’i kthehen jetës normale me ndihmën e vullnetarëve.

Mason dhe familja e saj thonë se u gjendën në mes të stuhisë. Motra e saj binjake Mekenzi thotë se u fshehën në dollapin e nënës së tyre deri sa tornadoja u kaloi pranë shtëpisë. “Tornadoja donte të merrte shtëpinë time, po ajo është e fortë. Tornadoja nuk arriti ta merrte,” thotë Mekenzi.

Mason dhe Mekenzi së bashku me fëmijë të tjerë luajnë në Kishën Presbiteriane në Sofolk ndërkohë që prindërit vëzhgojnë dëmin për të parë nëse shtëpitë e tyre kanë shpëtuar. Lin Jagel, është një prej shumë vullnetarëve që kanë ardhur të ndihmojnë banorët e Suffolk-ut. “Një nga mamatë këtu tek kisha doli me idenë për t’i ndihmuar mamatë e tjera duke u kujdesur për fëmijët e tyre deri sa ata të mbaronin punë me Kryqin e Kuq.”

Suzan Rasëll, mamaja e binjakeve është vetëm. Burri i saj është me shërbim ushtarak në Gjirin Persik. Ajo ndjehet e dërrmuar kur vjen t’i marrë vajzat për t’i çuar ato në shtëpi. Shtëpitë pas shtëpisë së saj janë dëmtuar. “Shtëpia ime shpëtoi. S’e di pse!” thottë zonja Rasëll.

Në kishë vullnetarët vazhdojnë punën. Disa prej tyre kanë gatuar. Ata i ruajnë pijet dhe ushqimet për ata që kanë nevojë. Dejvid Dikson është ndihmës pastor. Ai thotë se disa vullnetarë po i ndihmojnë njerëzit të pastrojnë shtëpitë e tyre ndërsa për viktimat është krijuar një fond ndihmash. “Mendoj se ndihma për njerëzit do të vazhdojë për disa javë.”

Kryqi i Kuq ka vendosur qendrën e tij të operacioneve këtu. Ata ndihmojnë individët të bëjnë vlerësimin e nevojave të tyre për strehim, rroba, ushqim dhe madje edhe këshillim. Rob Shapiro punon për Kryqin e Kuq. “98 përqind e njerëzve që ndihmojnë janë vullnetarë,” thotë ai.

Debi dhe Karlos Benxhumea kanë ardhur tek Kryqi i Kuq për të kërkuar ndihmë. Ata i kanë humbur të gjitha nga tornadot. “Shtëpia jonë është rrafshuar krejtësisht. Unë kam një Volkswagen, që për çudi kishte ngelur jashtë në parking. Pasi e pashë atë arrita të gjej shtëpinë.”

Më vonë, Debbie dhe Karlos kthehen tek rrënojat e shtëpisë së tyre. “Këtu ishte dera e shtëpisë,” thotë ajp. Ata mbledhin gjëra të vogla të mbetura nga shtëpia e tyre. Gjejnë ca zbukurime nga krishtlindjet e vitit të kaluar dhe Karlos gjen diçka që tani mund t’i duhet. “Gjeta një xhaketë që mund të më mbajë ngrohtë gjatë natës,” thotë Karlos. Ata gjejnë edhe diçka paksa ironike mes rrënojave. “Testamenti yt. E pabesueshme.”

Koleksionet prej kristali dhe porcelani të Debit janë thyer të gjitha, madje edhe koleksioni i saj i Merlin Monro, të cilin ajo filloi t’a mblidhte kur ishte adoleshente. “Unë nuk i kam humbur kujtimet e mia. Kam humbur vetëm gjërat materiale që kanë qenë pjesë e kujtimeve të mia. Por, fatmirësisht, askush nuk është dëmtuar dhe të gjithë jemi gjallë.”

Karlos dhe Debi vazhdojnë kërkimet e tyre për gjërat që mund të gjejnë. Ata thonë se do ta kujtojnë gjithmonë ndihmën e marrë, çka e ka bërë humbjen e tyre më pak të dhimbshme. //bsa//

XS
SM
MD
LG